Aliu deklarohet për zjarrin në supermarket

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu është deklaruar për zjarrin që ka përfshirë supermarketin pak minuta pas mesnatës.
Aliu sot ishte në vendngjarje për të parë nga afër dëmet, teksa ka përgëzuar ekipet e zjarrfikjes që bën maksimumin për të minimizuar dëmet materiale, raporton Indeksonline.
Kryetari i Ferizajt ka shtuar se për dëmet materiale dhe shkaktimin e zjarrit, fjalën e kanë organet përgjegjëse shtetërore.

“Të gjithë u zgjuam sot, me tronditjen që shkaktoi fatkeqësia e zjarrit, me dëme shkatërrimtare në “Viva Fresh Store” në Ferizaj. Sot, në mëngjes dolëm bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, Arben Halili, drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, Basri Shabani, Luan Salihun nga Brigada e Zjarrfikësve në Ferizaj, për të parë nga afër dëmet dhe përgëzuar ekipet e zjarrfikjes që bën maksimumin për të minimizuar dëmet materiale. Fatmirësisht, nuk ka asnjë dëm në njerëz, gjersa për dëmet materiale dhe shkaktimin e zjarrit, fjalën e kanë organet përgjegjëse shtetërore”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Për portalin rtv21.tv lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Ferizaj, Kanun Veseli, i cili njoftoi se nga ky rast nuk ka të lënduar.
Nga Policia është thënë se dëmet materiale janë të konsiderueshme dhe ende nuk dihen shkaqet e zjarrit.
“Janë në proces hetimi”, ka thënë shkurt Veseli./21Media
Back to top button