Ambasada amerikane: Kosova, lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit

 
Për kthimin e 11 qytetarëve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë.
Nga ambasada kanë thënë se ky është një shembull për të tjerët dhe se këto kthime po demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj.
Në reagim theksohet se Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë riatdhesimin e djeshëm të qytetarëve kosovarë nga zonat e konfliktit në Siri. Këto kthime demonstrojnë gatishmërinë e Kosovës për të marrë përgjegjësi për qytetarët e saj duke dhënë një shembull për të tjerët. Kosova është lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, thuhet në reagimin e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.
Të shtunën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka treguar për kthimin e 11 shtetasve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri duke thënë se Kosova po ushton përgjegjësinë jo vetëm ndaj qytetarëve të saj por edhe si anëtarë e Koalicionit Global për të mposhtur ISIS-in.

Back to top button