Ambasadori Bajrami reagon te Sorenseni për deklaratat e ministres serbe: Ky është zëri i Vuçiqit

Ambasadori i Kosovës në Bruksel dhe kreu i ekipit negociator, Agron Bajrami, ka bërë të ditur se me emisarin e BE-së, Peter Sorensen, ka diskutuar rreth deklaratës së ministres serbe për “spastrim etnik”.
“Unë kam adresuar zyrtarisht me emisarin Sorensen deklaratën alarmuese të një ministre serbe që mbështet hapur spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë.Ministrja serbe tha atë që mendon Presidenti serb- ajo thjesht nuk duhej ta kishte thënë me zë të lartë, ndërsa ai tani përpiqet të kontrollojë dëmet”, ka shkruar Bajrami.
Tutje ai ka thënë se një deklaratë e tillë dëmton procesin e dialogut.
“Deklarata dhe sjellje të tilla nga zyrtarët serbë përfaqësojnë një shkelje të qartë të Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2023, preambula e së cilës i angazhon Palët të “kapërcejnë trashëgiminë e së kaluarës” dhe njeh se “paprekshmëria e kufijve dhe respekti për integritetin dhe sovranitetin territorial… janë një kusht themelor për paqen”.Kjo retorikë dëmton seriozisht dialogun, besimin dhe normalizimin e BE-së bazuar në njohjen dhe respektin reciprok. Distancimi i Serbisë është thjesht premtime boshe – jo pendim i sinqertë apo refuzim i krimeve të epokës së Millosheviqit.Kosova mbetet e përkushtuar ndaj procesit, por vetëm nëse parimet e tij themelore mbështeten vazhdimisht. Çfarë vlere ka të flasësh për zbatim kur Serbia vazhdon të shkelë Marrëveshjet me fjalë dhe vepra?”, ka shtuar ambasadori Agron Bajrami./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?