Ambasadori rus: SHBA do të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga OKB, shkruan media serbe

Ambasadori rus Aleksandr Botsan Kharchenko në një takim me ministrin e jashtëm serb Ivica Daçiq ka thënë se SHBA-ja do të kërkojë përjashtimin e Rusisë nga Kombet e Bashkuara, me të njëjtin parim si kur u dëbua Republika Federale e Jugosllavisë në vitin 1992, ka bërë të ditur media serbe N1.
Siç ka mësuar media serbe, Kharchenko thuhet të ketë shprehur pritjet e Moskës se Serbia nuk do të marrë pjesë në konferencat ndërkombëtare që mbahen pa praninë e Federatës Ruse. Në një takim me ministrin Daçiq në fund të dhjetorit të viti ttë kaluar, Botsan Kharchenko tha se bëhet fjalë për Samitin për Demokraci, Këshillin e Komunitetit Politik Evropian dhe disa tubime të tjera ku fokusi do të jetë Rusia.
Në të njëjtin kontekst, ambasadori rus ka diskutuar me Daçiqin për përpjekjet për formimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në Ukrainë.
Botsan Kharchenko po ashtu deklaroi se Moska ka dijeni për takimin e ministres së Energjisë së Serbisë, Dubravka Gedoviq, me ambasadoren e Ukrainës, ku është biseduar për ndihmën për atë vend në sistemin energjetik.
Në përgjigje të të gjitha këtyre kërkesave, Daçiq tha se Serbia do t’i konsiderojë ato në frymën e marrëdhënieve miqësore, mëson N1./21Media

Back to top button