Amerikanët nderojnë viktimat e 11 shtatorit

Amerikanët bënë nderimet e tyre për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, sulmet më të këqija në historinë e SHBA-së, që tronditën thellësisht vendin dhe mbarë botën.
Një numër i madh njerëzish, të mbledhur në New York pranë muzeut mbresëlënës përkujtimor në Manhattan, mbajtën dy minuta heshtje për viktimat e sulmit në kullat e Qendrës Botërore të Tregtisë.
Në mesin e të mbledhurve ishte edhe zëvendëspresidentja, Kamala Harris, e cila dëgjoi një listë shumë të gjatë të emrave të viktimave.
Presidenti Joe Biden mori pjesë në një ceremoni në Pentagon, i cili ishte objektiv i një sulmi islamik.
Saktësisht 2.977 persona janë vrarë në sulmin terrorist të Al Kaidës në New York dhe Washington.
Dy aeroplanë janë përplasur në kullat binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në New York, një i tretë ka goditur Pentagonin dhe një i katërt, i cili dukej se kishte për qëllim Kapitolin ose Shtëpinë e Bardhë, është rrëzuar në një zonë të pyllëzuar në Shanksville, Pensilvani, pasi pasagjerët kanë kundërsulmuar.
Askush nga katër avionët nuk ka mbijetuar. 10 vjet më vonë, në maj të vitit 2011, forcat amerikane e kanë vrarë liderin e Al Kaidës, Osama bin Laden-in në Pakistan, në një operacion të miratuar nga presidenti i atëhershëm, Barack Obama.

Back to top button