Analistët për Superligën: Xhiro e fundit i vuri imazh negativ, klubet mund të dënohen

Dy ndeshjet e xhiros së fundit të Superligës së Kosovës në futboll, Trepça ’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini, po vlerësohet t’ia kenë prishur imazhin këtij kampionati.

Për këto dy ndeshje tashmë kanë nisur hetimet nga prokuroria nën dyshimin se mund të ketë pasur kurdisje rezultatesh dhe nëse ato konfirmohen, analistët thonë se duhet ketë dënime të merituara për klubet e përfshira.

Duke e vlerësuar lartë cilësinë që ofroi Superliga e Kosovës në futboll, analisti Arsim Plepolli thotë se dy ndeshjet e fundit e dëmtuan këtë ecuri pozitive.

“Një kampionat ka qenë me të vërtetë shumë interesant ku e kemi parë që deri në xhiron e fundit gara ishte shumë interesante si për titull, si për dalje në Evropë, poashtu edhe për mbijetesë. Me të vërtetë nuk kemi parë një kohë të gjatë një kampionat kaq të mirë dhe shumë interesant, sepse kur është kampionati që luftohet në të gjitha frontet atëherë është mundësia shumë e vogël për kalkulime, por po do të doja të ndërlidhesha me dy ndeshjet e xhiros së fundit ku është bërë bujë e madhe mediatike dhe sportdashëse si Trepça ’89-Prishtina dhe Ferizaj-Dukagjini me të vërtetë ndoshta pak e kanë zbehur imazhin e tyre sepse ligën nuk mund ta zbehësh edhe po të duash…Dyshimet mund të ekzistojnë, por edhe nuk mund të paragjykojmë nëse nuk kemi fakte”, shprehet Plepolli.

Plepolli thotë për KosovaPress se dënimet mund të jenë tejet të rënda për klubet, nëse këto dyshime konfirmohen. Ai nuk përjashton mundësinë që të ndërhyjë edhe UEFA në këtë rast.

“Unë mendoj që këto ndeshje do t’i vëzhgojë edhe UEFA, sepse nuk qëndron duarkryq. E kemi rastin e Skënderbeut, e dimë çfarë i ka ndodhur Skënderbeut, por nëse janë me të vërtetë lojërat e dyshimta, atëherë unë mendoj që duhet të merret dënimi i merituar, nuk duhet të ketë tolerime, sepse kjo është vepër penale, deshëm apo nuk deshëm…Ka lloj-lloj dënimesh, si rasti i Skënderbeut, me të holla, largimi nga kategoria, bllokimi i transfereve, zi e terr. Nëse e shohim që ka qenë loja e kurdisur, atëherë sigurisht që marrin masat të mëdha sepse kjo nuk tolerohet.”, thotë Plepolli.

Ndërsa, trajneri dhe analisti Genc Sermaxhaj deklaron se veprimi i portierit të “Dukagjinit”, Altik Muhaxhiri te goli i Ferizajt lë shumë hapësirë për dyshime. Sipas tij, këto klube mund të dënohen si nga UEFA, ashtu edhe nga FFK-ja.

“Sigurisht që e dëmton, gjithë kampionati ka shkuar jashtëzakonisht në rregull, ka qenë shumë i mirë, në disa ndeshje ka pasur lojëra shumë të mira, nivel të lartë të lojës, ngritje të cilësisë në disa periudha të ndryshme të kampionatit. Sigurisht që i lë shije të keqe pikërisht në xhiron e fundit. Nëse hetohen këto ndeshje, atëherë ekipet mund të rrezikohen nga ndonjë dënim së pari i Federatës së Futbollit të Kosovës e pastaj edhe nga UEFA për këto sjellje…Ajo që më takon mua dhe analistëve është vetëm të gjykohet veprimi i portierit i cili nuk ishte në nivelin e detyrës së tij ku ka pasur mundësi që topin ta zotëroj, mirëpo sjellja e tij kuptohet të jetë pak sa e dyshimt”, thotë Sermaxhaj.

Për trajnerin Bylbyl Sokoli, lajmi i mirë në këtë situatë është që organet kanë nisur punën e tyre. Ai kërkon nga to reagim të shpejtë në mënyrë që dukuri të tilla në futbollin kosovar të mos përsëriten.

“Nuk ishte imazh i mirë për futbollin me këto komente, të cilat u përfshi xhiro e fundi. Është e rëndësishme që organet kompetente i kanë marrë të gjitha masat, duke filluar nga federata deri tek organet e hetuesisë që merren me këto ratse dhe unë nuk mund të shtoj asgjë më shumë. Ajo që mua më brengos është mënyra se si u zhvillua xhiroja…minutat shtesë, koha e fillimit të lojës, pastaj u komentua goli i pranuar dhe kjo ka bërë që organet e ehtuesisë të merren dhe ajo çfarë është dashut të ndodhë ka ndodhur dhe tani do të shohim procesi deri ku do të shkojë…Ky proces kërkon reagim të shpejtë, kërkon informim të shpejtë në mënyrë që të jemi efikas në parandalimin e këtyre dikurive që u shfaqën në xhiron e fundit”, shton Sokoli.

Ndryshe, Ballkani është shpallur kampion i Kosovës në këtë edicion, hera e dytë radhazi për skuadrën e drejtuar nga trajneri Ilir Daja.

Back to top button