Andov dhe Ivanovski: Zgjedhja e kryetarit të kuvendit është legjitime

Sipas tyre nuk ka pengesë kushtetuese zgjedhja e kryetarit të kuvendi

Zgjedhja e Talaf Xhaferit për kryetar të ri të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë është legjitime dhe pa pengesa kushtetuese. Kështu shprehen për TV21 ish kryetari i Kuvendit dhe ish gjykatësi i Gjykatës Kushtetuese. Procedura është respektuar së bashku me vullnetin e shumicës parlamentare, thotë ish kryetari i Kuvendit – Stojan Andov.

“Procedura për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit ka qenë në rregull sepse me këtë u mundësia që shumica parlamentare ta zgjedhë në mënyrë të papenguar kryetarin e Kuvendit. Kushtetuta parashikon që kryetar i kuvendit mund të bëhet ai që merr të paktën 61 vota. Të gjitha opsionet e tjera janë vetëm përpjekje për pengimin e logjikës themelore kushtetuese që kryetari i kuvendit mund të zgjedhet nga ana e shumicës parlamentare”, tha Stojan Andov, Ish Kryetar i Kuvendit të RM.

Me qëndrim të ngjashëm edhe ish gjykatësi kushtetues Trendafil Ivanovski. Sipas tij, kushtet procedurale janë përmbushur, gjegjësisht Xhaferi është zgjedhur nga radhët e deputetëve dhe është votuar nga shumica parlamentare, shkruan tv21.tv.

“Kryetari i Kuvendit duhet të jetë deputet, ndërsa kandidati i zgjedhur është deputet. Zgjedhja bëhet në seancë parlamentare. Për zgjedhje të kandidatit, duhet të ketë propozim. Propozim kishte nga një numër i caktuar i deputetëve. Pra me këtë, janë përmbushur të gjitha kushtet procedurale”, u shpreh Trendafil Ivanovski, Ish gjykatës kushtetues.

Të dy janë të tmerruar nga ajo që ndodhi mbrëmë në hapësira e kuvendit. Andov fajin e sheh te udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, ndërsa Ivanovski pret që pakica parlamentare të ndërgjegjësohet./21Media

Back to top button