Sipas tyre, dhuna nuk është rruga e duhur

Sipas tyre, dhuna nuk është rruga e duhur

Atë që e pamë mbrëmë në Shkup është me të vërtetë shqetësuese dhe e dhimbshme theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Federika Mogherini.

“Dhunën e konsiderojmë të papranueshme veçanërisht kur ajo ndodh në tempullin e demokracisë, pra në Kuvend . Ne besojmë  se të gjithë në Shkup duhet ti ndjekin parimet  kushtetuese, demokracisë dhe të mundohen që ta nxjerrin vendin nga kjo krizë serioze, e cila mund të jetë e rrezikshme”, tha Federika Mogerini, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, shkruan tv21.tv

Eurokomisionari i BE për zgjerim, Johanes Han, përmes profilit të tij në Twitter ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke theksuar se në mënyrën më të ashpër i dënon sulmet ndaj deputetëve  në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë. Sipas tij, dhuna është e papranueshme në institucionin ligjvënës dhe se demokracia duhet të vazhdojë rrugën e saj.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se është i tronditur nga dhuna në Parlamentin e Maqedonisë dhe iu bëri thirrje të gjitha palëve që të bëhen pjesë e dialogut.

Ndërmjetësuesi i Komisionit Evropian, Piter Vanhoutte ka theksuar se VMRO-DPMNE ka nxitur dhunën në Kuvend. Ai i ka shkruar një letër drejtuar kreut të VMRO-së, Nikolla Gruevskit ku i thotë: “Tashmë jeni në opozitë ndaj mbani përgjegjësinë për turpin në Kuvend”.

Edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka shprehur shqetësim për dhunën në Kuvend duke shtuar se ajo nuk mund të jetë zgjidhje për asnjë çështje.

“Dëshirojmë që në Maqedoninë  miqësore dhe vëllazërore sa më shpejt të arrihet paqe dhe stabilitet. Maqedonia ka rëndësi kyçe për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ballkan”,u shpreh Rexhep Taip Erdogan, President i Turqisë.

Eurodeputeti gjerman Knut Flenkeshtajn reagoi ashpër ndaj incidentit të mbrëmshëm në Kuvend. Sipas tij VMRO-DPMNE e ka kaluar kufirin dhe se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa.

“Përfundoi koha e fjalëve të mira, Bashkimi Evropian që nesër duhet të marrë masa pas asaj që ndodhi në Maqedoni”, u shpreh Knut Flekenshtajn, Eurodeputeti i Gjermanisë.

Ministri austriak i punëve të jashtme Sebastian Kurz thotë se dhuna nuk është zgjidhje dhe se vendimet duhet të miratohen në pajtueshmëri me proceset demokratike dhe me përgjegjësi.

“Ky ishte akt i frikësimit dhe sulm ndaj përfaqësuesve të qytetarëve, të cilin unë padyshim se e dënoj. Rendi dhe paqja duhet menjëherë të vendosen”, tha Sebastian Kurz, Ministër i punëve të jashtme i Austrisë.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani bën thirrje për qetësimin e situatës dhe tejkalimin e saj me maturi politike. Sipas tij tentativat për të inkurajuar dhunën si dhe keqpërdorur marrëdhëniet ndëretnike duhen dënuar me forcë, pasi nuk rrezikojnë vetëm Maqedoninë, por edhe marrëdhëniet ndërshtetërore dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit në përgjithësi.

Nga Ambasada amerikane në Shkup thonë se dhuna në Kuvend nuk përputhet me demokracinë dhe është e papranueshme. Ata apelojnë që të gjitha partitë t’i respektojnë proceset demokratike dhe ligjet si dhe të përmbahen nga [do veprim i dhunshëm.

E ndërkohë nga Ministria e jashtme ruse bëjnë thirrje që të ndërpritet presioni i jashtëm ndaj Maqedonisë dhe t’u mundësohet forcave përgjegjëse politike në vend që vetë të vendosin për zhvillimet e mëtutjeshme politike./21Media