Ankohet burri, kërkon të sheh bashkëshorten e lënduar

Ka pasur 7 anëtarë të familjes në autobusin që u aksidentua mëngjesin e 23 nëntorit në autostradën Struma të Bullgarisë.
Katër prej tyre i ka të shtrirë në spital në Bullgari, pasi janë në mesin e 7 të mbijetuarve, kurse 3 të tjerë tashmë i ka humbur.
Ali Selmani nga Koliçani i Shkupit që dje në mëngjes ndodhet në Bullgari, kërkon të sheh bashkëshorten e lënduar.
Nuk i lejojnë të hyjnë brenda, por vetëm i kanë informuar se janë mirë me shëndet dhe se kanë pësuar traumë.
“Apelojmë që procesi të përfundojë sa më shpejtë, sido që të jetë ai, sepse në Maqedoni po jetojmë në panjohuri. Sa më shpejtë që përfundon, aq më mirë është. Ne jemi këtu që dje, në mëngjes. Erdhëm që të shohim si janë të mbijetuarit, nuk kemi qasje. Mirë, ja, njoftojnë mjekët, thonë mirë janë, janë në traumë, por që t’i shohim, nuk mund t’i shohim”, tha Ali Selmani, bashkëshortë i njërës nga të mbjetuarat, transmeton TV21.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur të martën tri ditë zie kombëtare pas aksidentit me autobus në Bullgari, që la të vdekur 45 persona. Ndërkaq, më 24 nëntor në Kosovë do të jetë ditë zie në nderim të viktimave të aksidentit në Bullgari.
Zyrtarët thanë se aksidenti ndodhi në një autostradë në perëndim të Bullgarisë, ku një autobus me 52 pasagjerë, shumica nga Maqedonia e Veriut, u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit. Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë./21Media

Back to top button