Anulohet seanca ndaj Konjufcës

Është anuluar seanca gjyqësore në rastin ndaj Glauk Konjufcës për hedhjen e gazit lotsjellës, pasi gjyqtarët dhe prokurorët kanë vazhduar të punojnë vetëm në shërbimet esenciale, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për ulje të pagave.
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndër shumë seanca që janë anuluar ishte edhe ajo ndaj Konjufcës që akuzohet për hedhjen e gazit lotsjellës dhe pengim të personit zyrtar më 2016 në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, për sot ishte e paraparë të vazhdohej shqyrtimi gjyqësor në rastin ku ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Betim Reçica dhe tre zyrtarët e tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, po akuzohen për keqpërdorime në tenderin për autostradën e Gjilanit.
Në mbledhjen e 299-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 24 nëntor, është miratuar lista me shërbimet esenciale me të cilat do të punojnë tani e tutje gjykatat, deri në një vendim të radhës të Këshillit.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, në një konferencë për medie më 23 nëntor, pati kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të anulojë vendimi, me të cilin iu ulën pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve. Zogaj pati bërë të ditur se kanë marrë vendim, me të cilin puna e gjykatave reduktohet dhe do të punohet vetëm me shërbime esenciale.
Po ashtu, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) mori vendim me të cilin reduktohet puna e Prokurorive dhe punohet vetëm me staf esencial.
Si KGJK, ashtu edhe KPK, kanë njoftuar se nëse Qeveria nuk e anulon vendimin deri më 8 dhjetor, do të marrin masa të tjera.
Në mbledhjen e Qeverisë, më 23 nëntor 2022, u mor vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga Qeveria Haradinaj./BetimipërDrejtësi
Komento

Back to top button