Kurti: Deputetëve që s’janë sot në sallë, po iu ec paga që e kanë më të lartë se kryeministri
(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar deputetët e LDK-së për mos-prani në interpelancën e sotme.
Sipas tij, këta deputetë që sot nuk janë në sallë po iu ecë paga e cila është më e lartë se e kryeministrit.
“Nuk e di a është opozita konstruktive apo jo, por e di që asnjë deputet i LDK tash nuk është këtu, asnjë, pra, tema e rëndësishme na e tregon strategjinë, platformën, ja ku është kryeministri. Pra, unë jo vetëm që po informoj, por po kërkoj edhe pjesëmarrje, se më falni, por duhet ta themi troç, deputetëve që nuk janë sot në sallë po iu ecë rroga, e deputeti e ka pagën më të lartë se kryeministri dhe nuk janë këtu, unë nuk e konsideroj mos pjesëmarrje konstruktivitet”, tha ai.
13:33 – Kurti: Pajtohem se nevojitet seancë e mbyllur kur kemi deputetë që flasin kaq pa lidhje
Kryeministri Albin Kurti në seancën që po zhvillohet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se pajtohet që nevojitet një seancë e mbyllur duke pasur parasysh se ka deputetë që flasin palidhje.
Ai kështu ka thënë duke iu referuar Arben Gashit të LDK-së dhe Abelard Tahirit të PDK-së.
13:20- Kurti-opozitës: Mos përhapni dezinformata, s’ka kush që e ndalë Policinë e Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga partitë opozitare në Kuvend që mos të përhapin dezinformata që s’ka prezencë të Policisë së Kosovës në veri të vendit. Ai duke iu drejtuar opozitarëve, theksoi se s’ka kush që e ndal Policinë e Kosovës të punojë dhe veprojë në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Në interpelancën ndaj tij lidhur me situatën e krijuar në veri, Kurti tha se për herë të parë në atë pjesë ka prezencë të tij dhe ministrave në mbikëqyrjen e punimeve që kryhen.
“Për herë të parë kemi vizita të ministrave në veri në mbikëqkyrjen e punimeve që kryhen. Ministrat Xhelal Svecla, Librun Aliu, Faton Peci, Elbert Krasniqi kanë qenë në veri. Në veri kam qenë edhe unë. Jo vetëm kaq, por edhe për herë të parë ka filluar patrullimi i rregullt policor në liqenin e Ujaminit. Pra është një polici që nuk ndalet, ju kisha lut të mos keq informoni, pasi Policia e Kosovës është nuk është ndalur, s’ka kush që e ndalë Policinë e Kosovës. Mos përhapni dezinforata, policia është aty, punon dhe vepron në bazë të Kushtetutës”, tha ai.
Kreu qeveritar tha se situata në veri nuk ka qenë asnjëherë normale, ani pse serbët kanë punuar atje.
“Betimin që e kanë bërë e kanë konstatuar publikisht se është veprim strategjik për të luftuar shtetësinë dhe republikën tonë. Andaj nuk besoj se ia vlen të thirremi në të kaluarën, kur serbët në institucione kanë dhënë betimin. Sa ka qenë i vërtet ai po merret vesh sot…Janë tërhequr se i ka urdhëruar Beogradi, kjo trego se edhe betimin e kanë dhënë me urdhër të Beogradit dhe dorëheqjen. Kjo i bie se kanë gjithmonë të Beogradit. Prandaj le të kuptojmë një gjë që besoj e kemi ditur. Situata në veri nuk ka qenë normale ndonëse kanë qenë duke punuar serb aty. Nuk është abnormalizimi tani, por ka qenë gjithmonë, por është kamufluar”, tha ai.
Mirëpo kreut qeveritar i ka reaguar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e quajti demagog.
“E dhimbshme që edhe një situatë si kjo dhe një dëshirë serioze me ndihmu gjendjen në vend nga një subjekt politik, marrim si përgjigje demagogjinë, përmes megafonave të pushtetit…Pse kryeministër ke refuzu kërkesën amerikane për pezullim deri në marrëveshje. Pse, a është kjo arsyeja që kur ke shku në Bruksel nuk ke fol për marrëveshjen finale, por për tabela. Mos me refuzu këtë kërkesë, a e dini a kish guxuar Vuçiq me urdhëruar serbët në Kosovë me i lëshuar institucionet, apo kishe fol për marrëveshjen finale. Tani po iu pyes si ke me kthy normalitetin në veri, ti dhe demagogët tu, apo ki me shku me negociuar me Serbinë normalizimin në vendin tënd, në kuadër të normalizimit të marrëveshjes finale…kryeministër nëse vazhdon me këtë demagogji, opozita s’ka me të ndihmu, por as zoti”, ka thënë Haradinaj.
13:15-Kurti: Dorëheqjet nuk pasohen me thirrje politike për kthim, por me aplikime
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se zyrtarët serbë që dhanë dorëheqje nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikime profesionale.
Kurti gjatë fjalimit të tij në interpelancën e thirrur nga AAK-ja, tha se dorëheqjet e zyrtarëve policorë serbë nuk është vendim as i tij e as i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), por kanë qenë dorëheqja politike për arsye të paqena.
“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike për bindjen time për arsye të paqena, thoshin morale e individuale, e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre, e njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht secilin prej tyre e tekstin identik të dorëheqjes. Ky është vendim politik. Tash unë e përsëris thirrjen time që asnjë serb të mos i braktisin institucionet dhe kjo është thirrja ime e vazhdueshme dhe do të jetë e tillë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të qeverisë dhe nuk janë vetëm të një komuniteti, por janë të të gjithë qytetarëve të Republikës. Mirëpo, aty ku ka vakum duhet të ketë aplikime të reja për punë. Vendimi politik i dorëheqjes nuk mund të pasohet me thirrje politike për kthim, por me aplikim profesional të atyre që i duan ato vende pune. Natyrisht, se të gjithë janë të mirëseardhur, por këtë nuk e vendos as kryeministri, as ministri i Brendshëm. Pra, kjo rregullohet sipas procedurave të brendshme dhe rregulloreve të policisë që vlen për të gjithë zyrtarët pa asnjë dallim e përkundër kësaj situate ne do të angazhohemi vazhdimisht që Policia e Kosovës të jetë në gjendje maksimale të gatishmërisë”, tha Kurti.
Ai u shpreh se komunikimi me serbë lokalë po ndodh, ashtu siç po ndodhin edhe investimet pas 22 vjetësh në veri të Kosovës.
“Komunikimi me qytetarët serbë lokalë është duke ndodhur e njëkohësisht janë duke ndodhur edhe investime. Ka pasur në vazhdimësi takime me organizata joqeveritare serbe për t’i adresuar brengat dhe nevojat e tyre. Themi se ka edhe komunikim dhe investim, dhe pas 22 vjetësh është investuar në veri në infrastrukturë që t’u shërbejë të gjithë qytetarëve atje. Për herë të parë po shtrohen rrugët që lidhin fshatrat në veri të vendit, në Cerajë, Koshtovë, Bistricë, Dedin, Batahir dhe Manxher, pra qytetarëve iu ofrohet qasje më e shpejtë dhe më e lehtë e qarkullimit, ndërkaq gjatë javëve në vazhdimin do ta mbështesim edhe Telekomin që ta zgjerojë rrjetin edhe në komunat veriore të vendit me vlerë prej 1 milionë eurove. Pra, rend e ligj, investim dhe zhvillim kjo është krejt çka iu duhet të gjithëve e ne jemi të angazhuar maksimalisht që me përkushtim të kryejmë këtë detyrë e përgjegjësi që e na e kanë besuar qytetarët”, u shpreh ai.
Kryeministri Kurti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës tha se Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë, për shkak të angazhimit të zyrtarëve tanë policorë. Sipas tij, për 1800 qortimet e lëshuar për targat ilegale nuk kanë pranuar asnjë vërejtje apo ankesë.
“Policia e Kosovës nuk është penguar asnjëherë nga serbët lokalë, për shkak të angazhimit të zyrtarëve tanë policorë falënderohen çdo ditë nga qytetarët në veri për punën dhe angazhimin e ofrimit të sigurisë për ta. Dëshmia se serbët lokalë nuk kanë asnjë problem me ne dhe në institucionet tona është edhe procesi i pranimit të qortimeve nga ana e tyre për përdorimin e targave ilegale, 1800 qortime fiks janë shpërndarë deri në mëngjesin e datës 24 nëntor dhe nuk është shënuar asnjë ankesë apo vërejte apo incident gjatë shpërndarjes së tyre në pika kufitare apo komunikacion, ndërsa procesi i regjistrimit e kemi parë që ka vijuar me sulme dhe kërcënime ndaj qytetarëve që janë pajisur me targa RKS”, tha ai.
Ai tha se pas arritjes së dakordimit për targat më 23 nëntor në Bruksel, i takon propozuesve të planit të BE të mbështetur nga Franca e Gjermani që në një afat sa më të shpejtë të arrihet marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve.
“Tani jemi në situatë tjetër. Kemi bërë pezullim të veprimeve për t’i dhënë hapësirë marrëveshjes sipas propozimit evropian apo franko-gjerman, të cilën qysh në fillim e kemi quajtur bazë të mirë për diskutim, sepse është e bazuar mbi vlera jo përbrenda asaj ideologjisë së zgjidhjes unike të problemeve të veçanta me pafund hollësi që e bën secilin ta humbi interesim për të mandej. Tani i takon sponsoruesve të këtij plani që në një afat sa më të shpejtë të arrijë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve. Dialogu me Serbinë është ndër temat kapitale në të cilat synojmë konsensus politik e shoqëror. Në këtë drejtim unë kam ftuar vazhdimisht krerët e subjekteve politike për konsultim dhe bashkërendim”, tha ai.
Kryeministri Kurti në këtë interpelancë u shpreh se Kosova ka një qeveri, e cila nuk është e varur nga votat e Listës Serbe.
“Sikur të ishim në qeveritë e kaluara ku shumica bëhej e varej nga Lista Serbe me siguri që do të kishte mocion mosbesimi për ta rrëzuar qeverinë, por ja që kjo nuk është e mundur tash. Reciprociteti me targa dhe letërnjoftime do të ishte motiv i mjaftueshëm për ata që të provojnë ta rrëzojnë qeverinë, por ka ndodhur ndryshimi i madh dhe besoj që gjithë duhet të gëzohemi që Republika e Kosovës ka një Qeveri e cila nuk varet për mazhorancën nga votat e Listës Serbe. Pavarësia nga Serbia është edhe pavarësi nga strukturat ilegale dhe ndikimin e tyre destruktiv në politikë që e kanë prej se ekzistojnë. Shtrirja dhe mbrojtja e sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës nuk është diçka e jashtëzakonshme është obligim i yni kushtetues dhe ligjor”, tha Kurti.