Apostalova ndihmoi në largimin e mbeturinave në “Parkun e Gërmisë”
Largohen mbeturina e mbillen lule
Dhjetëra vullnetarë të Organizatës “Let’s Do It Kosova” kanë realizuar një aksion pastrimi në “Parkun e Gërmisë”, në vazhdën e aktiviteteve që po mbahen në kuadër të “Climate Diplomacy Week”.
Aksioni që u mbajt sot u përkrah edhe nga projekti i Zyrës së BE-së në Kosovë “Skema e granteve për nismat e avokimit nga organizatat me bazë në komunitet” – zbatuar nga KCSF (Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile).
Në këtë aksion mori pjesë edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila deklaroi se në Kosovë ende ka mbetur punë për t’u bërë në drejtim të mbrojtjes së ambientit dhe ajrit njëkohësisht.
Ndërsa, drejtori i “Let’s do it Kosova”, Luan Hasanaj, tha se shoqëria duhet të jetë më e kujdesshme kundrejt ndotjes së ambientit.
Aksionit të sotëm në Parkun e Gërmisë iu bashkua edhe udhëheqja e rrjetëzimit nga “Let’s Do It World”, Heidi Solba, e cila u shpreh e lumtur që Kosova është pjesë e kësaj Lëvizje, gjersa bëri thirrje që të vazhdohet kështu deri më 15 shtator 2018, kur edhe do të mbahet Dita e Pastrimit të Botës, e cila synon të bëjë bashkë 5 për qind të banorëve të botës.
Përveç aksionit të pastrimit, në kuadër të aktiviteteve për ditën e sotme, në “Parkun e Gërmisë” janë mbjellë lule dhe fidanë.
Për këtë aktivitet “Let’s Do It Kosova” është përkrahur nga Ndërmarrja Publike “Hortikultura”./21Media