Aprovohet marrëveshja për pranim të fajësisë mes Prokurorisë dhe ish-deputetit të Listës Serbe për mosraportim të pasurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe ish-deputetit nga radhët e Listës Serbe Ivan Todosijeviq i akuzuar për mosraportim të pasurisë.

Todosijeviq akuzohet se në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Kosovës, për vitin 2020 nuk ka paraqitur të dhënat e sakta në formularin për deklarimin e pasurisë ashtu që nuk ka deklaruar pronat e evidentuara në emër të prindit të tij.

Me marrëveshjen për pranimin e fajësisë, u pajtuan i akuzuari Todosijeviq,  mbrojtësi i tij, avokati Asdren Hoxha si dhe prokurori Besnik Jakupi.

Avokati Hoxha tha se mbeten në tërësi pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ashtu që mbetet në tërësi edhe pranë dënimit komulativ të rekomanduar si për pjesën e dënimit me gjobë në shumë prej 1 mijë euro, ashtu edhe për pjesën e dënimit me kusht prej 3 muajve burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet brenda periudhës verifikuese prej 1 viti nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale.

I njëjti i ka propozuar gjykatës që marrëveshjen e tillë ta aprovoj, pasi që e njëjta sipas tij është lidhur vullnetarisht dhe në përputhje me dispozitat ligjore.

Edhe prokurori Jakupi, i ka propozuar gjykatës që marrëveshja në fjalë të aprovohet.

“Në mes të pandehurit, mbrojtësit dhe prokurorit të shtetit është arritur marrëveshja mbi pranimin e fajësisë pas negociatave bazuar në autorizimin e kryeprokurorit ashtu që sipas kësaj marrëveshje i pandehuri e ka pranuar fajësinë për veprën penale si në aktakuzë”, tha prokurori Jakupi.

Po ashtu, edhe prokurori Jakupi ka theksuar se sipas kësaj marrëveshje dënimi i propozuar është dënimi me gjobë në shumë prej 1 mijë euro dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari Todosijeviq nuk kryen vepër tjetër penale në kohën verifikuese prej një viti.

Më pas gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, mori vendim me të cilin ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë.

Paraprakisht, prokurori Jakupi ka bërë plotësimin e dispozitivit, përkatësisht përshkrimit faktik të veprës penale, ashtu që nga rreshti i fundit të dispozitivit sipas tij duhet të shtohet “përkatësisht i pandehuri nuk i ka deklaruar pronat të cilat kanë qenë të evidentuara në emër të prindit të tij V.T”, ndërsa tha se pjesa tjetër mbetet e pandryshuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 30 janar 2024, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Ivan Tosodijeviq akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 31 mars 2021, në formularin e dorëzuar për deklarim të pasurisë së zyrtarëve publik për vitin 2020, nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në deklaratë që e ka pasur për obligim sipas nenit 3 paragrafi 1, pika 1.1.8 të Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin e Prejardhjes dhe Kontrollin e Dhuratave.

Me këtë, Todosijeviq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kujtojmë se në korrik të vitit 2023, Gjykata Supreme e Kosovës, Todosijeviqin e ka liruar nga akuza për nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik, i cili nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 19 tetor 2022 ishte dënuar me 1 vit burgim, e të cilin  vendim e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit. /BetimipërDrejtësi

 

Back to top button