Arben Vitia dha dorëheqje nga pozita e ministrit të Shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot zyrtarisht dha dorëheqje nga pozita në ministri. Këtë e bëri të ditur vetë ai përmes një konference për media.
“Unë sot po e përmbyll angazhimin tim në këtë detyrë me të cilën më pati ngarkuar kryeministri Kurti për të cilin do të jem mirënjohës”, tha ai.
Ushtruese e detyrës së ministres së Shëndetësisë do të jetë Dafina Gexha-Bunjaku.
Vitia gjatë konferencës tha se pati privilegjin t’i shërbej popullit në një kohë të vështirë.
Arben Vitia në radhët e VV-së garon në zgjedhjet lokale për të parin e Komunës së Prishtinës, më 17 tetor. Në garë për kreun e Prishtinës janë edhe Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës, Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Daut Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Gëzim Mehmeti nga Aleanca Kosova e Re.
Fushata për zgjedhjet lokale zyrtarisht ka nisur më 16 shtator./21Media