Ardonat Blakçori, emri premtues në tregun muzikor në vend

Ardonat Blakçori është emri premtues në tregun e muzikës në vend.
Ardonati, një 21 vjeçar i cili është në përgatitje të projektit të ri muzikor, “Ti je” për të cilin ai zbuloi për portalin rtv21.tv se publikohet nesër.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv Ardonati tha se ky është projekti i tij i parë, përpos cover-ave të cilat i ka realizuar gjatë kohës sa përgatitej për këngën e tij origjinale.
“Po, kjo është kënga ime e parë të cilën e kam realizuar në studio”, tha Blakçori.
Blakçori zbuloi se tekstin e vijën melodike e ka bërë vet, ndërsa sa i përket aranzhimit, realizimit të projektit, është kujdesur kompozitori i njohur shqiptar, Afrim Macula.
Për Maculën, Ardonati thotë se ka bërë një punë të shkëlqyer dhe se ai është ndarë shumë i kënaqur nga ky bashkëpunim.
“Për realizimin e projektit është përkujdesur kompozitori Afrim Macula, i cili ka kryer një punë të shkëlqyeshme”, tha ai.
Ai më tej shpjegoi se videoklipi është realizuar nga Record Production – të cilin keni mundësi ta shihni nesër, me t’u publikuar projekti i parë i Ardonatit.
I pyetur se cilat janë planet e ardhshme të tij, ai thotë se “po shijon projektin e parë dhe punën e palodhshme për gjithë këtë kohë”.
“Për momentin jam duke u mundu me e shiju këtë projekt të parë, por së shpejti do të ketë edhe projekte të tjera”, tha Ardonati, ku shtoi se nuk e ka vendosur nëse do të jetë bashkëpunim apo jo.
Ardonati tha se muzikën e ka të trashëguar nga familja, konkretisht nga babai.
“Muzikën e kam trashëgim nga familja. Babai im ka qenë muzikat i cili ka marr pjesë në shumë organizime muzikore, po ashtu ka qenë pjesëtar i Josip Rela”, tha Blakçori për portalin rtv21.tv
Ai tha se “rrugëtimi i tij në muzikë nisi në shkollën e mesme të kitarës”, ku thotë se ka arritur të mësojë gjëra të reja.
Blakçori përfundon se për synim ka tregun vendor, por “pse jo në të ardhmen edhe atë të huaj.
Deri atëherë, “Ti je” nis rrugëtimin artistik të Ardonatit.
Më poshtë, pamje nga xhirimet e videoklipit të këngës së re të Ardonatit./21Media


Back to top button