Arianit Ahmeti konfirmon kandidaturën për kryetar të FFK-së
Arianit Ahmeti ka konfirmuar se do të jetë kandidat për kryetar të Federatës së Futbollit të Kosovës.
“Të nderuar futbolldashës, ju drejtues të klubeve, donator dhe të gjithë komuniteti i futbollit në vendin tonë ju informoj tani më edhe zyrtarisht se do të jem Kandidat për KRYETAR të Federatës së Futbollit të Kosovës”, ka shkruar Ahmeti.
Ahmeti përmes një njoftimi në Facebook tha se ka pritur që FFK të shpallë zyrtarisht të hapur kandidaturën për kryetar të kësaj federate, por sipas Ahmetit udhëheqja aktuale e FFK-së nuk i mbajti zgjedhjet pasi nuk është ‘transparente’.
“Unë kam pritur që FFK zyrtarisht të shpall zgjedhjet për kryetar për të ri-shpallur kandidaturën time të cilën e kam shpallur në Nëtor 2019, atëherë kur sipas Statutit të FFK-së do duhej te mbaheshin zgjedhjet për kryetar të FFK-së në Janar 2020. Mirëpo duke pa qe udhëheqja e aktuale e FFK-së nuk i mbajti zgjedhjet sipas Statuti në vitin 2020, dhe sot nuk është transparente dhe është involvuar në mbledhje të nënshkrime për kandidim për kryetar ende pa u shpall zgjedhjet që tani duhet të mbahen në Korrik 2022”, ka shkruar tutje ai.
Ahmeti shtoi se sa i përket kandidimit të tij, ka përkrahjen e 15 klubeve dhe se në ditët në vijim do të prezantojë programin për udhëheqje të FFK-së.
“Ju konfirmoj se kam mbeshtejen e klubeve (mbi 15) të nevojshme për kandidim për kryetar të FFK-së, në ditët në vijim do të prezantojë programin tim për udhëheqje të FFK-së. Me të gjithë futbollëdashesit do të bashkpunoj për të bërë ndryshimin e duhur për ta zhvilluar futbollin tonë, që vitet e fundit u degradua shumë nga Agim Ademi i cili ia humbi shkelqimin dhe imazhi pozitive qe e kishte futbolli ynë”, shton tutje Ahmeti./21Media