Një shkrim në Bloomberg i publikuar dje e që e paraqet Kosovën si vendin e parë për nga numri i vdekjeve nga COVID-19 ka nxitur reagime në Kosovë. Këshilltari i presidentit të Kosovës, Ardian Arifaj, ka bërë llogaritjet dhe i ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, dhe sipas tij tabela e Bloomberg nuk është e saktë.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetësisë Publike, që janë në dispozicion në faqen e tyre në Facebook, nuk rezulton që në javën e fundit në Kosovë janë 54.2 fatalitete nga COVID-19 në 1 milion banorë, siç ka raportuar dje Bloomberg. Autorët e shkrimit/tabelës thonë që të dhënat i kanë marrë nga John Hopkins University, por as John Hopkins nuk e ka atë shifër”, shkruan Arifaj dhe sqaron se “ne tabelën e John Hopkins është shumë e qartë që nuk raportohen të dhënat për Kosovën në baza ditore. Për shembull, më 25 gusht raportohen 58 vdekje nga COVID-19. Raportimi i fundit para kësaj date është më 15 gusht. Nëse i mbledh rastet e vdekjeve nga data 16 gusht deri më 21 gusht dalin 58 vdekje, aq sa ka raportuar JHU. Pra, numri kumulativ i vdekjeve prej 16 deri më 21 gusht. Njëjtë është edhe më 25 gusht. Raportohen 21 vdekje, sepse raportohet për 24 dhe 25 gusht. Pa dashur me e vu në pikëpyetje profesionalizmin e Bloomberg, po supozoj që llogaritjen e kanë bërë nga shifrat e marra nga John Hopkins University. Në fakt, me shifrat e JHU, rezulton që në javën e fundit janë 54.4 të vdekur në një milion banorë. Por, kjo shifër është e pasaktë”, ka shkruar Arifaj.

Ai ka shtuar se “i tërë shkrimi është i pasaktë dhe keqinformues”.

Është dëm i madh për Kosovën, për imazhin e Kosovës, goditje për të gjitha institucionet e Kosovës, sidomos Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, për mjekë e infermierë, që po bëjnë çdo gjë për ta luftuar sa më mirë pandeminë, si dhe për çdo qytetar të ndërgjegjshëm të Kosovës që bën çdo gjë për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Ngushëllime të gjithë atyre që kanë humbur të dashurit e tyre nga COVID-19, sepse në fund të fundit qëllimi është të shpëtohet çdo jetë njeriu dhe jo të bëhet luftë me statistika apo të bëhet politikë”, ka shkruar tutje Arifaj./21Media