Arkivoli i Mbretëreshës Elizabeth II transferohet në Katedralen e Edinburgut
Arkivoli me mbretëreshën e ndjerë britanike Elizabeth II u dërgua sot në Edinburg në një procesion solemn në Katedralen Saint Egidius, i cili u ndoq nga mijëra njerëz në rrugë duke i bërë nderimet e fundit mbretëreshës më jetëgjate britanike.
Arkivoli, i shoqëruar nga tingujt e gajdeve, u nxor nga Holyrood House nga ushtarë të Regjimentit Mbretëror Skocez të veshur me fustanellë.
Mbreti i ri britanik Charles III dhe vëllezërit e motrat e tij, Anne, Andrew dhe Edward, ecën pas makinës së varrimit në procesion përgjatë rrugës historike Mile Royal.
Një kurorë skoceze u vendos në arkivolin në katedrale.
Prifti i katedrales Calum I MacLeod përshëndeti besimtarët me fjalët: “Jemi mbledhur për në Skoci për të përshëndetur për herë të fundit mbretëreshën e ndjerë, jeta e së cilës kaloi në shërbim të kombit dhe botës që ne festojmë dhe dashuria e së cilës për Skocinë ishte legjendare”.
Në meshën në katedrale morën pjesë zyrtarët më të lartë britanikë, përfshirë kryeministren Liz Truss dhe ministren e parë të Skocisë, Nicola Sturgeon.
Një vigjilje do të mbahet në katedrale në mbrëmje dhe arkivoli do të dërgohet në Londër të martën.
Një salvo topash nga Kalaja e Edinburgut shënoi fillimin e procesionit, i cili u zhvillua në heshtje.
Mbretëresha Elizabeth II vdiq të enjten në mëngjes në Kalanë Balmoral në Malësitë Skoceze në moshën 96-vjeçare pas më shumë se 70 vjetësh në pushtet.
Princi Charles u shpall si mbreti i ri të shtunën.