​“Gilft of Life Internacional” po trajton fëmijët kosovarë me probleme të zemrës në QKUK

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, ka takuar përfaqësuesit e organizatës humanitare “Gilft of Life Internacional”, të cilët janë duke i trajtuar disa fëmijë kosovarë me probleme shëndetësore në zemër, në Shërbimin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gjatë këtij misioni në Kosovë, profesionistë të njohur shëndetësor- kardiologë të fëmijëve nga “Gilft of Life Internacional”, do të kryejnë operacione të fëmijëve, të cilëve trajtimi u është mundësuar të realizohet në Klinikën e Kardiokirurgjisë në QKUK.
Me këtë rast, Ministri Latifi, falënderoi ekipin mjekësor të organizatës humanitare “Gift of Life Internacional”, për kontributin e dhënë për shumë vite rresht, në përmirësimin e shëndetit të fëmijëve me sëmundje në zemër në Kosovë, e të cilët kanë përfituar nga misioni i tyre.
Ministri Latifi, ka thënë se një bashkëpunim dhe mbështetje e këtij lloji me profesionistët e tillë shëndetësor ndërkombëtar, është shumë i rëndësishëm, sepse Kosova ka mungesë të infrastrukturës, që mundëson kryerjen e intervenimeve të fëmijët që kanë probleme në zemër.
Megjithatë, Ministri Latifi, i njoftoi të pranishmit me projektin e tij, të 22 subspecializimeve, ku afër 100 mjekë, së shpejti do të dërgohet në vende të ndryshme për tu avancuar në ato drejtime mjekësore, për të cilat ka nevojë sistemi shëndetësor i Kosovës. Për këtë projekt, Ministri Latifi, kërkoi bashkëpunim dhe përkrahje nga stafi i i organizatës humanitare “Gift of Life Internatiobal”, sidomos në fushën e kardiologjisë pediatrike.
Ndërsa Rob Raylman, përfaqësues i “Gift of Life Internatiobal”, u shpreh i lumtur që misioni i tyre po shpëton shumë jetë të fëmijëve në Kosovë, duke thënë se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Edhe Francesco Santoro, pjesë e kësaj organizate humanitare, shprehu gatishmërinë që edhe në të ardhmen të kontribuojë në trajtimin e fëmijëve kosovarë me probleme shëndetësore në zemër.
Organizata “Gift of Life International” (zgjatimi ndërkombëtar i organizatës amerikane me të njëjtin emër “Dhurata e Jetës”) ka një histori të gjatë prej disa dekadash në shërbim të fëmijëve në SHBA dhe në mbarë botën, që nuk kanë mundësinë të ndërhyrjeve kirurgjikale për problemet në zemër në vende të tyre, sidomos duke u shërbyer fëmijëve që kanë defekte të lindura të zemrës./21Media

Back to top button