Arrestimi i Ikballe Berisha-Hudutit lajm në mediat botërore

Reuters shkruan për postimet e Berisha-Hudutit

Reuters ka shkruar për arrestimin e Ikballe Berisha-Hudutit, nën akuzat për nxitje të akteve terroriste pas komenteve në rrjete sociale kundër vrasjes së komandantit iranian Qassem Soleimani nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në raportimin e kësaj agjencie prestigjioze të lajmeve, thuhet se Policia e Kosovës ka bërë të ditur se themeluesja e organizatës tashmë jofunksionale pro-islamike “Kur’ani”, është arrestuar pas një urdhri nga prokuroria dhe do të mbetet në mbajtje për 48 orë deri në vendimin e radhës.

Reuters raporton po ashtu se Berisha-Huduti ka shkruar në llogarinë e saj private në Facebook kritika ndaj SHBA-së pas vrasjes së Soleimanit të premten.

Ajo kishte fshirë postimet e saja dhe ka thënë se fjalët e saj janë keqkuptuar nga mediat. Në postimet tjera ka lavdëruar demokracinë amerikane dhe përkrahjen për Kosovën në vitin 1999. Kosova është përkrahëse e madhe e SHBA-së. Kur gjenerali iranian u vra, kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka thënë se “Kosova qëndron e palëkundur në përkrahje të ShBA-ve në të drejtën për vetëmbrojtje”, përfundon shkrimin Reuters.

Artikulli i njëjtë është shpërndarë edhe nga MiddleEastMonitor, medium ky që merret me monitorimin dhe raportimin e situatës në Lindjen e Mesme.

Edhe USnews, media nga SHBA-të, ka cituar raportimin e njëjtë të bërë nga Reuters që flet për aktin e gruas nga Prizreni.

 

Back to top button