Aksioni Antikorrupsion, Prokuroria Speciale: Të dyshuarit u kapën gjatë shkëmbimit të parave

(Lajm i përditësuar)
Aksioni Antikorrupsion, Prokuroria Speciale: Të dyshuarit u kapën gjatë shkëmbimit të parave
Prokuroria Speciale ka dhënë detaje për arrestimet e gjashtë zyrtarëve të shtetit të dyshuar për keqpërdorime, përfshirë edhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, me iniciale F. I.
Operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike nën udhëheqjen e Prokurorit Special, pas një periudhe monitorimi dhe hetimi ndër të tjera me masa të veçanta hetimore në lidhje me dyshimet për kryerjen e veprave penale:
“Korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje ryshfeti, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje”, thuhet në njoftim.
“Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar: F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.”, njofton prokuroria.
Të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave dhe me vendim të Prokurorisë Speciale shtatë personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar:
“rreth 20 mijë (20.000) euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektronike”, vijon njoftimi.
“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”, përfundon njoftimi.
Policia për arrestimin e zyrtarëve: U krye me urdhër të Prokurorisë Speciale
Policia ka dhënë detaje për arrestimin e zyrtarëve të lartë publikë duke thënë se aksioni është zhvilluar në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë Speciale, dhe janë shoqëruar për intervistim disa persona.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me AKI-në dhe urdhër të PSRK-së, ka realizuar një operacion policor, i cili përfshinë disa lokacione të ndryshme. Lidhur me rastin i cili po trajtohet nga DHKEK-ja, në bashkëpunim me akterët e tjerë, janë shoqëruar për intervistim disa persona. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në njoftim të Policisë.
Arrestohen disa zyrtarë të lartë publikë nën dyshimin për korrupsion
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka njoftuar të enjten për arrestimin e disa zyrtarëve të lartë publikë e persona përgjegjës, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.
Postimi i ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla:
”Finalizohet me sukses operacioni kundër keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe korrupsionit Bazuar në të dhënat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, pas një hetimi disamujore të kryer nga Policia e Kosovës dhe institucionet tjera relevante, sot janë arrestuar disa zyrtarë të lartë në institucione, të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion, të ndërlidhur me procesin e shpronësimit të pronave private”, ka njoftuar Svecla.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka nisur një aksion të gjerë lidhur me dyshime për keqpërdorime dhe korrupsion.
Sipas burimeve të kp-së brenda Policisë së Kosovës, tashmë janë arrestuar disa zyrtarë të institucioneve të ndryshme, ndërsa pritet të ketë edhe të tjerë.
Sipas informacioneve, aksioni ka nisur pasditen e së enjtes, rreth orës 16:00 dhe është duke vazhduar ende.
Hetimet, janë kryer me autorizimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe kanë zgjatur për disa muaj, ka thënë burimi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?