Kaloni te përmbajtja kryesore

GODET Florin Krasniqi: LVV deshi ta krijonte krahun e vet ushtarak

(Lajm i përditësuar)

Florin Krasniqi: Nëse Policia e Kosovës ka pasur armik shqiptar, ai ka qenë Xhelal Sveçla

Kandidati për deputet nga PSD-ja, Florin Krasniqi, ka hedhur kritika të ashpra ndaj qeverisë dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë debatit zgjedhor në RTV21.

Krasniqi tha se kryeministri Albin Kurti nuk e sheh lehtë largimin nga pushteti, duke pretenduar se ai dhe bashkëpunëtorët e tij kanë pasur qasje radikale në të kaluarën.

“Albin Kurti nuk e lëshon pushtetin pa dhunë. E njoh atë. Ka pasur me marrë pushtetin me dhunë, por ne e kemi penguar që të mos ketë dhunë të tepruar”, deklaroi Krasniqi.

Ai rezervoi kritikat më të forta për Sveçlën, për të cilin tha se ka pasur raport të tensionuar me institucionet e sigurisë.

“Nëse Policia e Kosovës ka pasur armik shqiptar, ai ka qenë Xhelal Sveçla. Ne ia kemi hequr gurët Xhelal Sveçlës”, tha Krasniqi.

Sipas tij, emërimi i Sveçlës në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ka qenë i qëllimshëm për të ushtruar kontroll më të madh mbi Policinë e Kosovës.

“Pse Albini e ka bërë atë që e konsideronte armikun më të madh të Policisë ministër? Për t’ia ulur kokën Policisë. Ai dëshiron të krijojë një lloj xhandarmërie. Kjo nuk është hajgare dhe nuk është lojë. Kjo na ka çuar drejt një përçarjeje të thellë”, u shpreh Krasniqi.


GODET Florin Krasniqi: LVV deshi ta krijonte krahun e vet ushtarak

Kandidati për deputet nga Partia Socialdemokrate (PSD), Florin Krasniqi, ka bërë një deklaratë të fortë në debatin zgjedhor të RTV21, duke rrëfyer për diskutimet që kishte pasur vite më parë me liderët e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me çështjet e sigurisë dhe organizimit të partisë.

Krasniqi tha se gjatë kohës sa ishte pjesë e Vetëvendosjes nuk e kishte kuptuar plotësisht rrezikun që, sipas tij, mund t’i vinte Kosovës nga qasjet e kësaj partie ndaj sigurisë.

“Me ia pa rrjedhën historike Vetëvendosjes sa i përket sigurisë, unë për tetë vjet sa kam qenë anëtar i saj nuk e kam marrë seriozisht rrezikun që VV-ja mund t’ia sjellë Kosovës”, deklaroi ai.

Duke kujtuar një takim të hershëm me liderin e VV-së, Albin Kurti, dhe Liburn Aliu, Krasniqi pretendoi se ishte diskutuar ideja për krijimin e një strukture ushtarake brenda lëvizjes.

“Për herë të parë kur jam takuar me Vetëvendosjen, para se të hyja në politikë, kam pasur një debat të thellë me Albinin dhe Liburnin, sepse donin ta bënin një krah ushtarak të Vetëvendosjes me përgjegjësi të plotë”, tha ai.

Sipas Krasniqit, diskutimet kishin zgjatur me orë të tëra dhe ai kishte kundërshtuar kategorikisht një ide të tillë.

“Unë jam munduar t’i bind ata. Ata mendonin se unë isha një lloj magjistari i armëve që mund t’i sillja armët, të luftonim me UNMIK-un dhe të shpallnim republikën e tretë. Kemi pasur debate të rënda. Unë u kam thënë: ‘Jo, absolutisht jo, kategorikisht jo’”, deklaroi Krasniqi.

Ai shtoi se gjatë atyre diskutimeve kishte argumentuar se Kosova mund të mbështetej vetëm te aleatët strategjikë në rast të sfidave të mëdha të sigurisë.

“Ua kam sqaruar si në klasë të parë se janë tri shtete në botë që do të na mbështesin deri në luftë madhore: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe Turqia”, tha Krasniqi./

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button