Kaloni te përmbajtja kryesore

Arrestohen dy persona për vandalizëm në Mitrovicë, Policia: Kryetari erdhi me rreth 20 persona

Kryesuesi i Kuvendit Komunal i Mitrovicës së Veriut, Ivan Zaporozhaq, është arrestuar të premten pas pakënaqësive që ai bashkë me kryetarin e komunës, Milan Radojeviq, e ish-deputetin Nemanja Bishevac, shprehën për mbishkrimin “Unë e dua Mitrovicën”.

Lidhur me këtë situatë Policia e Kosovës ka lëshuar sqarim duke thënë se më 5 qershor ka pranuar vendimin e komunës së Mitrovicës për largim të mbishkrimit dhe pas daljes në vend të ngjarjes, si dhe sipas procedurave të parapara ligjore janë njoftuar inspektorët komunalë, që vendimi në fjalë duhet të shtyhet derisa të pranohet vendimi nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Më tutje, ka thënë se në vendngjarje ka ardhur kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut “me rreth 20 persona, ku në mesin e tyre ka qenë edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal Mitrovicë Veri, të cilët pasi janë njoftuar nga komandanti i stacionit policor rreth situatës, kryetari pas dhënies së intervistës për media, iu është drejtuar zyrtarëve policorë me fjalë ‘tani do të ngjyrosim me ngjyrë emblemën’”.

Derisa zyrtarët policorë kanë njoftuar se një gjë e tillë nuk lejohet të ndodhë, njëheri kanë kërkuar dhe tentuar të ndalojnë dëmtimin/ngjyrosjen e objektit publik.

“Edhe përkundër kërkesës dhe urdhrit që të ndalohet dëmtimi/ngjyrosja e objektit publik, të njëjtit kanë filluar ta ngjyrosin atë, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë të cilët kanë shoqëruar dy personat në stacion policor. Sipas procedurave të parapara të njëjtëve iu është shqiptuar kundërvajtje për vandalizëm”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Me urdhër të prokurorit kompetent të dyshuarit janë liruar, për të vazhduar me procedurat e mëtejme.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button