Arrestohen dy policë, në hetime tre të tjerë për zjarrin në stacionin policor në Kamzë

Dy zyrtarë policor  të komisariatit të Kamzës janë arrestuar dhe 3 të tjetër janë në hetim në lidhje me zjarrin e një nate më parë, ku në këtë komisariat si pasojë e asfiksisë humbi jetën një i paraburgosur dhe u plagos një tjetër së bashku me një polic.
Drejtoria Rajonale e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore Tiranë bën me dije se në bashkëpunim me ekspertë kriminalistë dhe ata zjarrfikës, nën drejtimin e Prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ka zhvilluar hetime paraprake për zbardhjen e rrethanave të rënies së zjarrit në ambientet e paraburgimit të Komisariatit në Tiranë, shkruan ora news.
”Pas hetimeve paraprake, janë krijuar dyshime të bazuara në fakte dhe prova ku si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të punonjësve të Policisë të këtij komisariati, të cilët nga pakujdesia dhe në kundërshtim me procedurat standarde dhe rregullat teknike të trajtimit të personave të ndaluar dhe arrestuar, kanë lejuar mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve ndezëse nga shtetasit e arrestuar  A.M dhe  D.I, të cilët kanë shkaktuar zjarrin në këto ambiente”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të hetimeve paraprake janë arrestuar në flagrancë, si të dyshuar për veprat penale ”Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Mosdhënia e ndihmës”, punonjësit e policisë F.I dhe H.B.
Po kështu, për shkak të mos ushtrimit të kompetencave dhe moskryerjen e veprimeve për parandalimin e ngjarjeve të rënda të kësaj natyre, si të dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Mosdhënia e ndihmës”, janë proceduar në gjendje të lirë edhe punonjësit e policisë L.M, M.M dhe Y.Ç.
Nga zjarri i një nate më parë humbi jetën në spital A.M 26 vjeçar, i cili ishte arrestuar si i dyshuar për veprën penale ”Dhunë në familje”, ndërsa kanë mbetur të lënduar (jashtë rrezikut për jetën) shtetasit  D.I 62 vjeçar, si dhe punonjësi i policisë, H.B./21Media

Back to top button