Arrestohen hajnat që plagosën babain me djalë, kishin qenë të arrestuar për plaçkitje të mëhershme
Kryeministri Albin Kurti, në seancën e Kuvendit ka bërë të ditur se sot janë arrestuar dy të dyshuarit që kanë plagosur të hënën babë e bir në Prizren.
Kurti ka deklaruar se lidhur me rastin, tashmë disa lokacione janë duke u bastisur. Kryeministri ka shtuar se të dyshuarit kanë qenë të arrestuar për plaçkitje të mëhershme, por Gjykata i ka liruar në procedurë të rregulltë, e tani janë riarrestuar, shkruan rtv21.tv
Ndryshe, një tentim-grabitje që ka ndodhur pasditen e së hënës në një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, ka lënë të plagosur babain me të birin.
“Është raportuar se tre persona të panjohur të maskuar dhe armatosur kanë tentuar të kryejnë grabitje në një argjendari. Të dyshuarit kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, pronarit të lokalit dhe djalit të tij, të cilët si pasoj e të shtënave nga arma janë plagosur. Të dyshuari nuk kishin arritur ta kryenin grabitjen dhe më pas me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimat janë dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, është informuar të martën në raportin 24 orësh të policisë./21Media