Policia jep detaje për tentim-grabitjen në Prizren ku u plagosën babë e bir
Një tentim-grabitje që ndodhi pasditen e së hënës në një argjendari në rrugën “Adem Jashari” në Prizren, la të plagosur babain me të birin.
Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se gjendja e dy të plagosurve është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë.
Tre persona të panjohur të maskuar dhe të armatosur kishin tentuar të kryejnë grabitjen në argjendari.
“Është raportuar se tre persona të panjohur të maskuar dhe armatosur kanë tentuar të kryejnë grabitje në një argjendari. Të dyshuarit kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të dy viktimave meshkuj kosovarë, pronarit të lokalit dhe djalit të tij, të cilët si pasoj e të shtënave nga arma janë plagosur. Të dyshuari nuk kishin arritur ta kryenin grabitjen dhe më pas me një veturë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Viktimat janë dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tyre është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në raportin e policisë.
Njësitë relevante të policisë dhe prokurori i shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe në lidhje me rastin janë duke u zhvilluar hetime intensive nga të gjitha njësitë relevante./21Media