Arrestohet 26 vjeçari që shfrytëzonte gruan për prostitucion, në pranga edhe 70 vjeçari që i gjente klientët
Policia e Shtetit sot informoi se u arrestua një 26 vjeçar në Tiranë, i cili e shfrytëzonte bashkëshorten për prostitucion, duke ushtruar dhunë ndaj saj. Lidhur me rastin, u arrestua edhe një 70-vjeçar, që jetonte i vetëm, i cili i gjente klientët dhe vinte banesën në dispozicion për të ushtuar prostitucionin 27-vjeçarja.
“Bazuar në provat e grumbulluara, në kuadër të operacionit policor “EXPLOITATION” u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dhuna në familje”, i shtetasit V. Gj., 26 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. O., 70 vjeç, banues në Tiranë. Nga veprimet e mirorganizuara operative dhe hetimore të specialistëve për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4, u arrit të zbulohet dhe të dokumentohet plotësisht ngjarja, nga e cila rezulton se 27-vjeçarja shfrytëzohej për prostitucion nga bashkëshorti i saj, shtetasi V. GJ., i cili e dhunonte, si dhe nga shtetasi P. O. Këtë aktivitet kriminal këta persona e kryenin në apartamentin e shtetasit P. O., i cili siguronte dhe klientët.”, informoi policia.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, pët veprime të mëtejme./21Media