Arrestohet Agim Ademi

Pas intervistimit kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është dërguar në mbajtje për 48 orë, pas një përleshjeje që pati dje me punëtorin e këtij institucioni, Artan Govori.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Lidhur me këtë rast janë intervistuar disa persona, njëri nga ta në cilësinë e personit të dyshuar. Në koordnim me prokurorin e shtetit, rasti është iniciuar sulm dhe personi i dyshuar është dërguar në mbajtje”, ka thënë Ahmeti.
Govori ka thënë se nga Ademi është kapur për fyti në selinë e FFK-së.
Në anën tjetër, Federata e Futbollit e Kosovës ka thënë se nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, por sipas tyre thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës.
“Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat. Raportimet e tilla janë në vazhdën e inskenimeve, presioneve e shantazheve që po bëhen nga persona që nuk kanë aspak të bëjnë me futbollin dhe që synojnë që nëpërmjet formave të tilla të vijnë deri te kapja e këtij institucioni. Sidoqoftë, FFK si institucion kredibil do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundër presioneve të tilla, me qëllimin e vetëm për progres të futbollit kosovar dhe që t’i mbajë larg këtij institucioni dhe larg futbollit njerëzit e grupeve të interesit”, kishte thënë FFK./21Media

Back to top button