Arrestohet një i dyshuar për dhunimin e 13-vjeçares në Prizren

Është arrestuar sot në Prizren një person, që dyshohet se e ka dhunuar një të mitur, e cila një ditë më parë ishte raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj.
“Me datë 17.11.2022, në orët e vona, një e mitur është raportuar si e zhdukur nga familjarët e saj. Me datë 18.11.2022, ne mëngjes e mitura paraqitet ne shkollë, nga familjarët njoftohet policia se vajza e raportuar si e zhdukur është paraqitë në shkollë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Tutje në njoftim bëhet e ditur se “e mitura (13 vjeç) në polici ka deklaruar se gjate kohës sa ka qenë e zhdukur (një natë) ka qëndruar në shoqërim me një person të moshës madhore (19 vjeç) me te cilin kanë pas lidhje intime, marrëdhëniet intime me personat nën moshën 16 vjeç është vepër penale, një veprim i tillë i plotëson elementet e veprës penale “Dhunimi”, andaj policia menjëherë ka filluar veprimet, e kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshimtin H.B. /19 vjeç”.
I dyshuari pas shoqërimit në polici dhe në prezencë të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare ka konfirmuar pohimet e viktimës që ka pas lidhje intime me viktimën.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar rasti cilësohet “Dhunim”.
I dyshuari me vendim të Prokurorit kujdestar është në ndalim policor për 48 orë./21Media

Back to top button