REL: Kurti dhe Vuçiqi takohen të dielën ose të hënën

Takimi mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe do të mbahet të dielën më 20 nëntor ose më së voni të hënën më 21 nëntor, mëson Radio Evropa e Lirë, Shërbimi për Ballkanin, nga burime të sigurta në Bruksel.
Data e saktë do të varet nga konfirmimi i liderëve, domethënë, sipas burimeve evropiane, nga logjistika dhe disponueshmëria e palëve.
Nëse takimi zhvillohet të dielën, do të jetë pasdite, dhe nëse zhvendoset për të hënën, atëherë liderët do të takohen në mëngjes.
Takimi i dy liderëve do të mbahet para fillimit të zbatimit të vendimit të autoriteteve të Kosovës për gjobat për pronarët e automjeteve me regjistrim serb.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për politikën e jashtme dhe sigurinë e përbashkët, Josep Borell, paralajmëroi të hënën, më 14 nëntor, se një zgjidhje për pllakat duhet të gjendet para 21 nëntorit.
Më herët të premten, më 18 nëntor, zëdhënësi i BE-së Peter Stano konfirmoi se Brukseli i kishte ftuar liderët në një takim dhe shprehu shpresën se takimi do të zhvillohet “shumë shpejt”.
Ndërkohë, Vuçiq ka mbërritur në Athinë, ku ka njoftuar në Instagram për takimin e radhës.
Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës janë acaruar për shkak të vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për të filluar zbatimin e vendimit për heqjen e targave të lëshuara nga autoritetet serbe për automjetet që përdoren kryesisht nga serbët në veri të Kosovës.
Shefi i diplomacisë evropiane, Borell, vlerësoi se kjo është “kriza më e rëndë që nga viti 2013”.
Përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare kërkuan nga Prishtina zyrtare shtyrjen e zbatimit për dhjetë muaj, gjë që autoritetet e Kosovës e refuzuan.
Përfaqësues të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) janë shprehur gjithashtu të zhgënjyer për këtë procedurë./Rel

Back to top button