​Arrestohet një i dyshuar për vrasje në tentativë në Ferizaj

Një person është dorëzuar në polici pas një tentim vrasje mbrëmjen e së enjtes në Ferizaj.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në rrugën “Tahir Meha” ku i dyshuari kishte shtënë në drejtim të një personi duke e lënë të lënduar.

Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur ndërsa viktima ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetë.

I dyshuari 57 vjeçar me inicialet F.G e ka dorëzuar armën të cilën dyshohet ta ketë përdorur, ndërsa është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Nga hetimet e para është mësuar se pas një zënke i dyshuari F.G (M/K) i moshës 57 vjeçar kishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të një personi tjetër, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe ishte larguar me një veturë në drejtim të panjohur, ndërsa viktima ishte dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe ishte jashtë rrezikut për jetën”, ka bërë të ditur Policia./21Media

Back to top button