​Giresse flet për ndeshjet e qershorit, zbulon pse mungojnë Hadërgjonaj, Muja, Berisha e Zeneli

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Alain Giresse ka mbajtur sot konferencën e parë për media para ndeshjeve të muajit qershor kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.

Giresse tregoi se si po planifikon që ekipi të jetë në gjendje të mirë psikologjike, pasi që “Dardanët” rikthehen nga dy barazimet në ndeshjet e fundit ndaj Andorrës dhe Izraelit.

Duke marrë parasysh se ka ende lojtarë që nuk i janë bashkuar kombëtares në grumbullim, Giresse tha se pret që nesër skuadra të kompletohet, dhe se më pas do të fillojnë me përgatitje për dy ndeshjet në vijim, pasi që nuk ka kohë për tu ankuar për atë se çfarë ka ndodhur më parë.

“Lloji i kompeticionit në të cilin ndodhemi nuk na mundëson shumë që të ndalemi prapa dhe të shiqojmë se çka ka ndodhur në këtë kompeticion. Momentin që do të grumbullohen të gjithë lojtarët e që do të jetë dita e nesërme ne do të fillojmë të diskutojmë dhe të do të fillojmë të përgatitemi sa më mirë për këto dy lojët të cilat i kemi. Dhe nga ana tjetër besoj që lojtarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e lojëve kështu që s’kemi kohë të humbim dhe të ankohemi se çfarë ka ndodhur më parë”, tha Giresse.

Po ashtu, Giresse tregoi se çfarë pret nga skuadra për ndeshjet ndaj Rumanisë dhe Bjellorusisë, ndërsa shfrytëzoi rastin që barazimin ndaj Izraelit mos ta cilësojë si rezultat negativ.

“Ne do të tentojmë sa më pak të mendojmë tek ajo që ka ndodhur më herët, dhe të koncentrohemi dhe të përgatitemi maksimalisht për lojët të cilat i kemi në vijim. Pastaj, i referoheni dy ndeshjeve të kaluara si do të thotë lojë barazim ose si rezultate negative edhe ndoshta mirëpo nuk konsideroj që rezultati me Izraelin ishte negativ nëse ishte me Andorrën, prandaj duhet të fokusohemi dhe të shkojmë përpara”, tha Giresse.

Giresse më tej zbuloi se pse mungojnë në grumbullim lojtarët si Hadërgjonaj, Berisha e Zeneli.

“Sa i përket Hadërgjonajt ka të bëjë me arsye personale të cilat nuk i kanë mundësuar që të vijnë në këtë grumbullim…Sa i përket Berishës, ka të bëjë me zgjidhje sportive, më takon mua që ta marrë vendimin dhe mu duk e drejtë që me listën e lojtarëve që e kemi të mos ftohet…Sa i përket Zenelit, në të njëjtën kohë përfitojë të them se është e njëjta situatë po ashtu edhe me Zymer Bytyqin. Ka të bëjë me minutazhin e paktë të cilët ata e kanë pasur në ekipet respektive, prandaj më duket, qoftë në aspektin moral qoftë në aspektin fizik, ndoshta nuk janë të gatshëm të mblidhen në këtë grumbullim. Me Zenelin e kam diskutuar këtë punë që ndoshta edhe thirret, pastaj nuk e di se a arrijmë t’i sigurojmë një vend ose nuk e di sa do të ketë minutazhë te Kosova, nëse do ta thirrnim, kështu që ka të bëjë po ashtu me zgjidhje sportive.

Tekniku francez foli edhe për mesfushorin e Royal Antëerp, Arbnor Mujën, i cili u shpall kampion i Belgjikës, dhe që nuk është pjesë e listës së lojtarëve të ftuar nga Kosova. Giresse tregoi se Muja kishte kërkuar garanci për vendin e titullarit, prandaj ishte zgjidhje më e mirë mos ta ftonte, se sa të vinte e më pas të mos luajë.

“Sa i përket këtyre dy lojëve të cilat i kemi tash, Arbnor Muja me të cilin kam pasur një kontakt ka kërkuar garanci sa i përket vendit të titullarit, dhe unë i kam shpjeguar Arbnor Mujës që vendin e titullarit nuk e ka të sigurt askush, prandaj nëse ai mendon kështu më mirë është që mos të vijë se sa të vijë dhe pastaj të mos të luajë”, tha Giresse.

Situata e Mujës ka bërë që të ketë spekulime se Shqipëria po e kërkon atë, por që këto zëra i mohoi menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala.

“Situata e Arbnor Mujës është shumë e thjeshtë. Po ka pas shumë shkrime në media se Shqiperia është në ndjekje të tij, për ne ato janë vetëm spekulime mediale. Arbnor Muja ka qenë për kohë shumë të gjatë jo vetëm tash për ekipin A, por ka qenë për një kohë shumë të gjatë pjesë e ekipeve të grupmoshave të Kosovës, dhe ai mbetet futbollist i Kombëtares së Kosovës, dhe përderisa ne nuk jemi kontaktu as edhe një herë në formë zyrtare qoftë nga Muja qoftë nga Federata e Shqipërisë, për ne kjo është temë e mbyllur dhe ai mbetet pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës”, tha Shala.

Ndeshjen e radhës Kosova e luan kundër Rumanisë, më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa tri ditë më vonë udhëton në Budapest, ku do të përballet me Bjellorusinë.

“Dardanët” kanë dy pikë në renditjen e Grupit I, pasi në ndeshjet e muajit mars barazuan me Izraelin dhe Andorrën.Dardanet

 

Back to top button