Arrestohet një person për grabitje të armatosur në Ferizaj

Policia e Kosovës njofton se të mërkurën mbrëma ka arrestuar një person i cili dyshohet për grabitje të armatosur në muajin mars të këtij viti.

Siç bën të ditur policia përmes një komunikate fillimisht policët e rendit, e më pas krimteknikët dhe hetuesit rajonal kanë ndalë në vendin e ngjarjes dhe nën autorizim te prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj i kanë nisur hetimet. “Nga hetimet e para dyshohej se tre persona nën kërcënimin e armës kanë ndaluar një veturë të postës së shpejtë dhe nga drejtuesi I veturës i kanë grabitur para në vlerë prej 770 eurove dhe janë larguar në drejtim të panjohur.”, thuhet në njoftim.
“Hetuesit rajonal pas një pune intensive hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, kanë siguruar prova të mjaftueshme dhe kanë identifikuar të dyshuarin, të cilin me datën 09.08.2023 rreth orës 22:00 e kanë arrestuar dhe në banesën e tij kanë gjetur e më pas kanë konfiskuar një armë të zjarrit automatike, me të cilën dyshohet se ka kryer grabitjen.”, vijon njoftimi.

Po ashtu policia informon se dyshuari është shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve dhe pas intervistimit nga policët hetues, në prani edhe të avokatit mbrojtës, me vendim të prokurorit të rastit është ndaluar në mbajtje për 48 orë, për procedura tjera hetimore./21Media

Back to top button