Arrestohet shoferi i BMW-së së famshme, kishte 225 gjoba

Shoferi i BMW-së së gjelbër të famshme në kryeqytet është arrestuar të enjten.

34-vjeçari me inicialet R.H., ka rrezikuar pjesëmarrësit tjerë në trafik në fshatin Lebanë, gjë që Policia thekson se është vërejtur nga video-incizimi që ka qarkulluar në rrjetet sociale të mërkurën.

Nga të dhënat e nxjerra nga autoritetet, rezulton se i dyshuari është gjobitur 225 herë.

“Në rrjetet sociale gjatë ditës së djeshme ka qarkulluar një video-incizim në të cilën vërehet, se si në magjistralen Prishtinë -Podujevë, në kryqëzimin në fshatin Lebanë, ngasësi i automjetit të tipit BMW ngjyrë e gjelbër, bënë lëvizje të rrezikshme me automjetin në fjalë dhe rrezikon seriozisht pjesëmarrësit tjerë në trafik. Ngasësi i automjetit R.H, mashkull, 34 vjeç, është identifikuar sot nga ana e policisë dhe i njëjti është shoqëruar në Stacionin Policor Veriu Prishtinë. Pas verifikimit në të dhënat e policisë, ka rezultuar se personit në fjalë i figurojnë 225 gjoba”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje, si dhe i është sekuestruar përkohësisht automjeti.

Kjo BMW është bërë e famshme në rrjetet sociale për shkak të zhurmës së lartë të muzikës brenda saj, si dhe për shkak të shkeljes së rregullave të komunikacionit.

Back to top button