Arrestohet zyrtari i Agjencisë Pyjore të Kosovës në Prizren

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar I.O., zyrtar i Agjencisë Pyjore të Kosovës.
Në njoftim thuhet se ky arrestim është rezultat i masave të veçanta hetimore, të cilat Prokuroria Themelore në Prizren i ka aplikuar për një periudhë të caktuar kohore, duke siguruar prova të fuqishme dhe dëshmi të pakontestueshme.
Nga hetimet dhe provat e grumbulluara është zbuluar se i dyshuari, duke keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit personal, duke pranuar para nga qytetarë të ndryshëm dhe duke u premtuar ndërmjetësimin për rregullimin e dokumentacionit të nevojshëm për marrjen me qira të pronave nga Agjencia Pyjore e Kosovës.
Aktualisht, i dyshuari ndodhet në ndalim 48 orësh, me dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Brenda ditës së sotme, Prokuroria do të parashtrojë në Gjykatë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prizren thekson se ky rast është shembull i qartë i efektivitetit të masave të veçanta hetimore dhe i vendosmërisë sonë në goditjen e korrupsionit. Prokuroria mbetet e palëkundur në përkushtimin e saj për forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të çdo individi që abuzon me funksionin publik dhe bie ndesh me ligjin”, thuhet tutje në njoftim.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?