Arrihet marrëveshja, Scholz pasues i Merkelit

Socialdemokratët, të Gjelbrit dhe liberalët e Gjermanisë kanë arritur një marrëveshje për formimin e një qeverie të re, duke i hapur rrugën ministrit të financave, Olaf Scholz, që të pasojë Angela Merkelin si udhëheqëse e ekonomisë më të madhe të Evropës.
Të tre partitë do të paraqesin marrëveshjen e tyre të koalicionit të mërkurën pasdite, fryt i gati dy muajsh negociata intensive pas zgjedhjeve kombëtare të 26 shtatorit, të cilat u fituan ngushtë nga socialdemokratët, transmeton rtv21.tv.
Zgjedhjet shënuan një pikë kthese në politikën gjermane. Me largimin e Merkelit nga skena pas katër mandatesh si kancelare, kristiandemokratët e saj ranë në rezultatin e tyre më të keq ndonjëherë dhe kaluan në opozitë për herë të parë në 16 vjet.
Ata do të pasohen nga një koalicion “semaforik”, i quajtur sipas ngjyrave përkatëse të partive: e kuqe për SPD-në, e verdha për Demokratët e Lirë (FDP) liberale dhe jeshile për të Gjelbërit. Kjo do të jetë aleanca e parë e tillë në nivel kombëtar në historinë e Gjermanisë dhe pritet të luftojnë kundër ndryshimeve klimatike.
Një njoftim nga FDP tha se kryenegociatorët e tre partive do të takohen të mërkurën për një raund përfundimtar bisedimesh dhe më pas do të zbulojnë marrëveshjen e tyre të koalicionit në orën 15:00 me kohën lokale në një qendër konventash në Berlinin qendror.
Qeveria e re do të betohet në Bundestag në fillim të muajit të ardhshëm./21Media

Back to top button