Arriti dërgesa e dytë e UNICEF-it me furnizime për luftimin e koronavirusit

Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se sot asrriti në Prishtinë dërgesa e dytë me furnizime e UNICEF-it që përfshin 1.5 ton pajisje profesionale mbrojtëse (8,900 mantele kirurgjike) për ta mbështetur reagimin e sistemit shëndetësor në Kosovë ndaj pandemisë së koronavirusit.

Që nga fillimi i përhapjes së koronavirusit, siç njofton MSH, UNICEF-i ka ofruar 36,200 dorëza, 33,600 maska kirurgjike, 2,700 maska me mbushje të dendur, 1000 kominoshe për mbrojtje, 17,860 mantele, 2,800 përparëse mbrojtëse si dhe 81 termometer infra red klinik si mbështetje për reagimin e Kosovës ndaj pandemisë. Dhjetë përqind e këtyre furnizimeve, sipas MSh-së janë dorëzuar në Spitalin në Mitrovicën e Veriut dhe në atë në Graçanicë.

“Mbështetja e sotme është mundësuar si pjesë e programit të UNICEF-it për Vizitat në Shtëpi që financohet nga Qeveria e Luksemburgut. Gjatë katër viteve të kaluara, ky program e ka mbështetur shtrirjen e sistemeve shëndetësore tek më shumë se 35,000 fëmijë dhe 15,000 gra shtatzëna. Si reagim ndaj COVID-19, Zyra e Luksemburgut në partneritet me UNICEF-in do të vazhdojë të ofrojë pajisje personale mbrojtëse shtesë për punonjësit shëndetësorë të vijës së parë. Dërgesat e tjera në kuadër të kësaj linje përfshijnë (40 koncentrues oksigjeni, etj).”, njoftoi ministria përmes komunikatës.

Ndërsa, shefi i Zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se “Zyra e UNICEF-it në Kosovë do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i kapërcyer sfidat që janë paraqitur si pasojë e COVID-19”.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë e mirëpriti dhe vlerësoi kontributin e UNICEF-it në mbështetje të zbatimit të Planit kundër virusit korona Covid-19 në Kosovë.

Kujtojmë që, në Kosovë nga koronavirusi kanë vdekur 8 persona, 362 janë të infektuar, ndërsa 59 persona janë shëruar./21Media

Back to top button