Arsenali eliminohet, Sportingu kompleton çerekfinalen e Ligës së Evropës

Sportingu është skuadra e fundit që është kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Evropës, nivelit të dytë të garave kontinentale për klube të futbollit.

Të enjten mbrëma në Londër, Sportingu fitoi ndaj Arsenalit pas gjuajtjes së penalltive.

Ndeshja e parë në Lisbonë kishte përfunduar 2:2, ndërsa në Londër rezultati pas kohës së rregullt ishte 1:1. Shifrat nuk ndryshuan as pas dy vazhdimeve nga 15 minuta.

Kështu ndeshja u vendos me gjuajtjet nga pika e bardhë. Lojtarët e Sportingut ishin të saktë në pesë tentimet. Ndërkohë Gabriel Martinelli i Arsenalit dështoi në serinë e katërt. Goditjen e tij e ndali portieri i ekipit portugez.

Granit Xhaka kaloi në epërsi Arsenalin në minutën e 19-të. Mesfushori shqiptar shënoi gol me goditje nga zona pas një topi të kthyer. Ndërkohë rezultatin në 1:1 u barazua në minutën e 62-të. Pedro Gonçalves shënoi eurogol me goditje thuajse nga gjysma e fushës. Shifrat më nuk ndryshuan në kohën e rregullt prej 90 minutave dhe pas vazhdimeve.

Në çerekfinale janë kualifikuar edhe Bayer Leverkuseni, Roma dhe skuadra belge Unione Saint-Gilloise. Leverkuseni fitoi 2:0 në udhëtim te Ferencvaroshi dhe me rezultatin e përgjithshëm 4:0 avancoi tutje.

Back to top button