Artisti kosovar që hyri në “Guinness” më 17 shkurt do të nisë projektin unik

Artisti kosovar, Besart Gashi me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës do të fillojë një projekt unik. Ai për rtv21.tv ka treguar se projekti që do të nisë më 17 shkurt do t’i simbolizojë të gjithë dëshmorët, veteranët dhe viktimat që janë flijuar për Pavarësi dhe deri ne formimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Ky projekt do të përfundojë me 16 qershor, për nder të Ditës së Çlirimit. Do të jetë një vepër arti mjaft unike dhe emocionuese. Përmes kësaj vepre edhe brezat e ri do ta kuptojnë se me sa mund dhe sakrificë erdhi liria.”, ka deklaruar Gashi.
Ai ka treguar se konstrukti i punimit të tij të ri do të jetë metal, kurse pjesa më e madhe e tij do të punohet nga gipsi.
“Ky punim do të jetë me madhësi 3mx3m dhe do të bëhet si model-dizajn me shpresë që do të gjejë mbeshtetje në të ardhmen dhe do ta punojë me përmasa shumë te mëdha dhe të vendoset në një shesh në kryeqytet”, ka potencuar Gashi.
Artisti nga Drenasi, gjatë një interviste për rtv21.tv ka folur edhe për fillimet e karrierës së tij. Ai me art merret që nga mosha e fëmijërisë, por që 6 vjet realizon vetëm punime me motive kombëtare, kryesisht realizon punime të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka treguar se ideja për të realizuar punime me gëzhoja të fishekëve i ka ardhur në një datë mjaft të veçantë.
“Po ideja për me punuar me gëzhoja fishekësh më ka lindur në vitin 2018, në 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe rënies se Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe familjes së tij. Punova mozaikun me gëzhoja fishekësh me dimenzione 5m x 5m figurën e bacës Adem”, ka bërë të ditur ai.
Gashi për rtv21.tv ka treguar se cilat janë dy punimet e tij më të mëdha.
“Punime me gëzhoja fishekësh kam punuar shumë, por vlen të theksohen dy mozaiket me përmasa të mëdha. Ai i Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe mozaiku i heroit Agim Ramadanit-KATANA”, ka bërë të ditur artisti, duke shtuar se ka punuar edhe dhjetëra emblema dhe shqiponja me gëzhoja fishekësh.
Artisti ka potencuar se gëzhojat e fishekëve i ka përdorur duke u bazuar në faktin se liria e vendit tonë nuk ka ardhur me lule dhe dialog, por me grykë të pushkës. Tutje, ai ka treguar se kah furnizohet me gëzhoja të fishekëve, meqenëse duhet goxha numër i madh për realizimin e një punimi.
“Ne fillim përshembull për mozaikun e Komandantit Legjendar, Adem Jashari jam furnizuar në poligone private, nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe nga Policia e Kosovës. Tash së fundi furnizohem vetëm nga Policia e Kosovës, kur të kem nevojë për ndonjë vepër të artit të tillë.”, ka bërë të ditur ai.
Por, me gjithë punën që bën, edhe pse ka theksuar që shumicën e tyre i bën në mënyrë vullnetare, Besart Gashi, që ka hyrë në librin e rekordeve “Guinness” kurrë nuk është vlerësuar as nga komuna e as nga shteti. Ai për rtv21.tv ka treguar se një herë i është premtuar një mbështetje financiare, por, që 2 vjet ato mjete nuk janë transferuar në llogarinë e tij bankare.
“Jo për keqardhje asnjë punim nuk më është vlerësuar nga Kumuna dhe shteti im edhe pse shumicën e tyre e bëj në mënyrë vullnetare, në vitin 2020 pata realizuar një ekspozit në Muzeun Kombëtar të Kosovës për nderë të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 5-6-7 mars dhe më premtuan Këshilli Organizativ i Epopesë që do të më mbështetin me mjete financiare në vlerë 700 Euro, por u bënë 2 vjet dhe ende ato mjete nuk më janë transferuar në xhirollogari.”, është shprehur artisti.
Megjithkëtë, artisti nga Nekovci nuk e ka në plan të ndalet, e siç ka potencuar ai për rtv21.tv “së punuari për ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”.
“Gjithmonë do të punojë për të mirën e vendit tim dhe gjithmonë do të sjelli risi në artin vendor dhe ndërkombëtar.”, ka shtuar tutje Gashi.
Ndryshe, Besart Gashi është nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit. Ai merret me art që nga vitet e hershme të fëmijërisë, por nga viti 2015 ka filluar të punojë lloje të ndryshme të artit, portete të skalitura në dru, kryesisht me motive kombëtare dhe portete me përmasa të mëdha, me materiale të ndryshme, siç janë: gëzhojat e fishekëve dhe kapset e metalit. Besarti ka hyrë në librin e rekordeve “Guinness” në vitin 2020, me portretin e heroit Agim Ramadani- Katana, i cili është i punuar me kapse metali, në dimension 4.40 x 5.90 metra që i bie 26.07m2. Po ashtu, ai ka bërë portretin e heroit Adem Jashari, në vitin 2018 me gëzhoja fishekësh me permasa 5×5 metra, për nderë të 20 vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari. Ndërsa, në vitin 2021 është çertifikuar me titullin “Anëtar i Akademisë Europiane”, nga Akademia e Arteve Europiane, me seli në Paris. Arti i Besart Gashit është i veçantë në vendin tonë dhe më gjerë./21Media

Back to top button