Kurti mori pjesë në Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Samitin Global të Aftësisë së Kufizuar, i cili këtë vit u organizua virtualisht nga International Disability Alliance (IDA), në bashkëpunim me qeverinë e Ganës dhe të Norvegjisë.
“Është angazhimi ynë i përditshëm dhe i përhershëm që të punojmë më shumë, së bashku, për ndryshime të qëndrueshme dhe shoqëri me mundësi për të gjithë”, tha kryeministri. Ai theksoi domosdoshmërinë për të dëgjuar zërin e personave me aftësi të kufizuar dhe për të marrë parasysh kërkesat e tyre gjatë hartimit të politikave për mbrojtjen e tyre.
Po ashtu kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës ka miratuar Programin për të Drejtat e Njeriut 2021-2025, me qëllim zhvillimin socio-ekonomik, bazuar në eliminimin e pengesave për realizimin e të drejtave dhe lirive, duke u mundësuar të gjithë qytetarëve të jetojnë me dinjitet.
“Vitin 2022 e kemi shpallur “Vit i Personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës”, gjatë të cilit po ndërmarrim hapa konkretë për përmirësimin e kushteve për komunitetin e aftësisë së kufizuar”, tha kryeministri.
“Së bashku me personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, kemi përpiluar një kalendar ambicioz të aktiviteteve për vitin 2022, me fokus në shëndetësi, drejtësi, siguri, arsim, trajnim, punësim, qasje, mirëqenie sociale, kulturë dhe sport”, shtoi ai.
Kurti potencoi qëllimin e përbashkët për të siguruar që të gjithë personat me aftësi të kufizuara, pavarësisht nga gjinia, origjina racore ose etnike, feja ose besimi, mosha ose orientimi seksual, të gëzojnë të drejtat e tyre njerëzore – mundësi të barabarta dhe qasje të barabartë.
Në panelin e titulluar “Angazhimi kuptimplotë”, kryeministri Kurti diskutoi krahas Hon Zed Seselja, ministër i Danimarkës për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Paqësor, Flemming Møller Mortensen, ministër për Zhvillim dhe Bashkëpunim i Danimarkës, Inger Ashing, drejtoreshë ekzekutive e Save the Children International, Ola Abualghaib nga UN Partnership on the Rights of Persons with Disabilities Multi Partner Trust Fund, Dom Haslam, kryesues i International Disability and Development Consortium, Gertrude Fefoame, nga Federata e Organizatave të Aftësisë së Kufizuar të Ganës dhe Fernanda Santana nga Shoqata Braziliane për Veprim në të Drejtat e Personave Autistë.
Samiti bën thirrje për veprime konkrete për të përshpejtuar zhvillimin gjithëpërfshirës, nëpërmjet qasjes, angazhimit dhe barazisë. Ky samit synon të mobilizojë përpjekjet për të çuar përpara zbatimin e Konventës për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) në përputhje me parimin për të mos lënë prapa askënd, dhe për të rindërtuar më mirë pas COVID-19./21Media

Back to top button