ASK: Deri më tani në Kosovë janë regjistruar 530 mijë banorë

Agjencia e Statistika të Kosovës ka njoftuar se deri në ditën e djeshme janë regjistruar 530 mijë qytetarë në procesin e Regjistrimit të Popullsisë.

Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka thënë se mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar.

Ai theksoi se të gjitha zonat në Kosovë dhe komuniteti serb janë duke marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë.

Ndërsa, nga diaspora janë regjistruar 180 mijë pjesëtarë dhe mbi 50 mijë përmes platformës e-diaspora.

“Deri dje 530 mijë vet në Kosovë janë regjistruar. Mbi 36% e objekteve që janë në Kosovë janë regjistruar. Nuk kemi sfida madhore në teren. Nëse vazhdon një dinamikë e tillë do ta arrijmë ta përfundojmë deri më 17 maj. Gjitha zonat në Kosovë janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe të gjitha komunitetet. Edhe komuniteti serb është duke marrë pjesë. Të gjithë ata që refuzojnë do të përcjellën sipas legjislacionit që është në fuqi”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa, Zëvendësministrja e Diasporës, Liza Gashi, ka shtuar se platforma e-diaspora jep një pasqyrë se ku gjenden bashkatdhetarët tanë, e ku janë regjistruar mbi 50 mijë qytetarë.

“Deri tani nga java kaluar kemi filluar me një intensitet për platformën për diasporën. Në kuadër të platformës mund të gjeni dhe pyetjet më të shpeshta. Kjo platformë na jep një pasqyrë se ku gjenden bashkatdhetarët tanë. Deri më tani 180 mijë pjesëtarë të diasporës janë regjistruar dhe mbi 50 mijë direkt në platformën e-diaspora”, ka shtuar Gashi.

Gjithashtu, qytetarë të shumtë janë ankuar se gjatë procesit të regjistrimit, po tejkalohet pyetja e përkatësisë fetare.

Për këtë, Kastrati për KosovaPress është përgjigjur se qytetari mund të mos deklarohet, por pyetjet duhen lexuar.

Në një rast ku një qytetar ishte ankuar, Kastrati potencoi se kur është hulumtuar rasti, është vërtetuar që qytetari është pyetur, por nuk ka dashur të deklarohet.

“Edhe qytetari është i obliguar në saktësinë e të dhënave. Nuk kanë të drejtë të mos lexohen të gjitha pyetjet. Qytetari mund të mos deklarohet, por duhen lexuar. Kemi info që i tejkalojnë këto pyetje, por nuk është e ligjshme kështu që penalizohen. Ka pasur ankesë, por kur kemi shikuar në thellësi, është vërtetuar që është pyetur dhe nuk ka dashur të deklarohet”, është përgjigjur Kastrati.

Në Kosovë procesi i regjistrimit do të zgjasë deri më 17 maj.

Back to top button