ASK: Procesi i regjistrimit po shkon siç është planifikuar, sfidë komuniteti serb

U.d Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Avni Kastrati tha se procesi i regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave po shkon ashtu siç është planifikuar.

“Gjatë këtyre ditëve në terren kemi angazhuar regjistrues e mbikëqyrës dhe procesi është duke shkuar sipas planifikimit. Gjatë këtyre ditëve regjistruesit kanë pasur disa aktivitete, intervista. Aktualisht kemi 98% të mbikëqyrësve janë aktive, derisa 90% e regjistruesve që kemi paraparë janë aktiv në teren”, tha ai n% një konferencë për media.

Kastrati shtoi se të gjitha komunitetet po marrin pjesë në regjistrim, por kanë disa sfida nga komuniteti serb për shkak të disa trajnimeve.

“Kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë, dhe presim të tejkalohen. Ishim në pjesën veriore, dhe presim që ditëve në vijim edhe ata të angazhohen në regjistrim. Kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Gjitha aktivitetet e parapara janë në linjë me planin”, tha Kastrati.

Sipas regjistrimit më 2011, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është rreth 1.8 milionë, prej të cilëve rreth 25.000 janë serbë. Megjithatë, sipas vlerësimeve të sektorit civil, rreth 100,000 pjesëtarë të komunitetit serb jetojnë në Kosovë.

Regjistrimi i ri i popullsisë ishte menduar të mbahej në vitin 2021, por ai u shty për shkak të pandemisë së virusit korona. Ndërkohë vitin e kaluar është shtyrë edhe dy herë të tjera.

Derisa, procesi i regjistrimit të këtij viti ka filluar me 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.

Back to top button