Asnjë rast me Covid-19 në 24 orët e fundit, Kurti: Vaksinimi sa më i gjerë, arma jonë më e fortë

Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se në 24 orët e fundit nuk është shënuar asnjë rast i ri me Covid-19 në vend, ndërkaq janë bërë 469 testime.
Lidhur me këtë, Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se tash e disa ditë janë regjistruar numra njëshifrorë të të infektuarve me Covid-19.
“Si sot para një viti Qeveria e nënshkroi kontratën për sigurimin e vaksinave. Për vetëm dy muaj, negociuam dhe lidhëm kontratë drejtpërsëdrejti me prodhuesin Pfizer, kontraktuam vaksina të miratuara edhe nga rregullatori evropian, edhe ai amerikan. Ky furnizim dhe donacionet nga shtetet mike, ndërtuan bazën për një proces shembullor të vaksinimit. Rezultatet janë të dukshme.”, ka shkruar Kryeministri në Facebook.
Kurti ka theksuar se sipas statistikave, vendi ka shkallën më të lartë të të vaksinuarve dhe shkallën më të ulët të humbjeve të jetës në gjithë rajonin.
“Edhe numri i rasteve aktive ka rënë në dyshifror. Mirëpo, për të vazhduar mbajtjen e kësaj situate, duhet edhe ne të vazhdojmë të vaksinohemi, edhe me dy dozat e para, edhe me dozën përforcuese tre muaj më vonë. Vaksinimi sa më i gjerë, mbetet arma jonë më e fortë për të mbrojtur vetveten dhe njëri-tjetrin.”, ka shtuar tutje Kurti./21Media

Back to top button