Asociacioni i Komunave ankohet se Ministria e Financave po ua vonon planifikimin buxhetor
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka kërkuar urgjentisht nga Ministria e Financave dhe Transfereve (MFPT) të lëshojë “Qarkoren e dytë Buxhetore për komunat e Kosovës” pasi sipas tyre po vonon që të fillojë procesi final i planifikimit buxhetor për vitin 2025.
Sipas AKK-së, nëse një gjë e tillë nuk ndodh, komunat nuk do mund t’i zhvillojnë debatet me qytetarë dhe kjo mund të dërgojë, sipas tyre, në mosplanifikim të mirë buxhetor dhe në mospërmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
“Gjithashtu, mosdorëzimi i buxhetit më datën 1 shtator u kushton komunave me humbje të pikëve në Raportin e Performancës, respektivisht penalizohen nga përfitimet financiare nga Granti i Performancës”, thuhet në komunikatën e tyre.
AKK-ja ka thënë se nuk është hera e parë që Ministria e Financave ua dërgon shumë vonë këtë qarkore. Sipas Asociacionit, kjo i rrezikon komunat që të mos kenë mundësi teknike që ta dorëzojnë buxhetin në mbledhjet e kuvendeve komunale.
Pa “Qarkoren e Dytë Buxhetore”, sipas AKK-së, komunat nuk i dinë as kufijtë përfundimtarë buxhetorë si organizata buxhetore dhe “kjo pamundëson direkt dorëzimin e Buxhetin në Kuvendin e Komunës”.
AKK-ja gjithashtu ka kërkuar nga MFPT-ja që ta bëjë sa më shpejtë bartjen e mjeteve financiare te komunat nga të hyrat vetjake të vitit 2023, duke thënë se e ka obligim ligjor.