Asociacioni i Komunave kërkon fond emergjent pas vërshimeve

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të ngre një fond emergjent në shërbim të komunave pas dëmeve nga vërshimet dhe të njëjtin ta menaxhojnë vet institucionet lokale.
Delegacioni i Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës në përbërje të Agim Aliut – kryetar, Imri Ahmeti – nënkryetar, Bali Muharremaj – anëtar dhe Sazan Ibrahimi – drejtor ekzekutiv kanë vizituar sot Komunën e Skenderajt ku janë pritur nga kryetari Fadil Nura.
Kjo vizitë u bë për të parë nga afër situatën pas vërshimeve nga të reshurat dhe për t’u solidarizuar me qytetarët e zonave të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore.
Delegacioni i Bordit të AKK-së me këtë rast shprehu solidarizim me gjitha zonat e prekura nga vërshimet në komunën e Skenderajt, Istogut, Mitrovicës, Klinës, Podujevës dhe zonat e tjera të cilat u prekën nga të reshurat e shiut.
Bordi i AKK-së ka kërkuar që Qeveria duhet t’u mundësojë komunave një fond emergjent, pasi që vërshimet nuk janë problemi i vetëm, pasi gjatë vitit Komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi të tjera natyrore.
“Bordi kërkon që fondin emergjent ta menaxhojnë Komunat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim janë diskutuar edhe mundësitë tjera të bashkëpunimit mes Komunave edhe në rastet e fatkeqësive natyrore.

Back to top button