Vetaksident në Prizren, një i vdekur dhe një i lënduar

Një person ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një vetaksidenti në Prizren.
Aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 04:55. Këtë për portalin rtv21.tv e konfirmoi Shaqir Bytyqi, zëdhënës për media në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren.
I vdekur ka mbetur pasagjeri,ndërsa i lënduar shoferi i automjetit.
“Deri të aksidenti kishte ardhur kur shoferi ishte duke drejtuar veturën (VW Jetta, ngjyrë e kaltër) pa patentë shoferë dhe duke lëvizur në rrugën tranzit nga drejtimi i Landovicës për në drejtim të lagjës Dardania si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve atmosferike, në një kthesë vetura ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës, duke rënë nga një urë. Si pasojë e aksidentit vetë vozitësi ka marrë lëndime të lehta trupore i cili me autoambulancë është dërguar në spital dhe pasi e merr ndihmën e parë lirohet nga emergjenca, ndërsa pasagjeri ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e ka konfirmuar ekipi i mjekëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes”, ka thënë Bytyqi.
Ai ka thënë për rtv21.tv se trupi i pajetë është nxjerrë nga vetura nga ekipa e zjarrfikësve dhe është marrë nga ekipi i mjekësisë ligjore ku me urdhër të Prokurorit dërgohet në IML për obduksion, ndërsa shoferi është ndaluar në mbajtje./21Media
 

Back to top button