Atentat me armë zjarri, 2 të vrarë dhe 1 i plagosur

Incidenti ka ndodhur sot në orët e pasditës

Dy persona janë vrarë, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur në një atentat me armë zjarri në zonën e “Ujit të Ftohtë” në qytetin e Vlorës në Shqipëri.

Ngjarja është shënuar në orët e mesditës, teksa personat janë qëlluar ndërsa kanë qenë në mjetin e tyre.

Viktima janë identifikuar si Arjan Hasani dhe Orest Rexho. Ky i fundit mësohet se është pronar i një lokali në lagjen “24 Maji” e njohur ndryshe si lagjja “Çole”.

Orest Rexho është gjithashtu kunati i Armando Sulejmanit, që mbeti i plagosur.

Raportohet se mjetit në pronësi të Arjan Hasanit i është prerë rruga 200 metra para se të dilte në rrugë kryesore dhe është qëlluar me armë ndaj tyre.

I plagosuri Armando Sulejmani është transportuar në spitalin e Vlorës për ndihmë mjekësore.

Burimet bëjnë me dije se ka marrë dy plumba, një në krah dhe një në këmbë por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur hetimet. Forcat policore kanë ngritur postoblloqe në disa pika kryesore të qytetit për kapjen e autorëve.

Atentatorët kanë zgjedhur itinerarin nga unaza e qytetit, drejt Kuzum Baba mes zonave të banuara mbi spital deri në Babicë.

Burime bëjnë me dije se një makinë është djegur në Babicë.

Një nga viktimat e atentatit, Arjan Hasani, mësohet se ka qenë i përfshirë në dosjen e përgjimeve në Vlorë për sekuestrimin e 23 ton kanabis, ku ishte i përfshirë edhe ish-efektivi i policisë Renato Avduli.

Armando Sulejmani i shpëtoi një atentati në 2016

Armando Sulejmani i cili mbeti i plagosur sot në një atentat me armë i kishte shpëtuar një tjetër atentati në 23 maj 2016.

Atentati ndaj tij ndodhi në hyrjen e pallatit ku ai banonte, teksa ishte duke zbritur nga shtëpia në oborrin e pallatit.

Sulejmani u plagos në dorë. Errësira ndihmoi edhe 2 atentatorët e maskuar të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Teksa u tha se njëri prej tyre është plagosur pasi edhe Sulejmani ka qenë i armatosur dhe ka qëlluar ndaj tyre.

Informacioni paraprak i policisë

Pak minuta më parë në lagjen “Ujë i Ftohtë”, Vlorë, kanë mbetur të vrarë dyshohet me armë zjarri 2 shtetas dhe 1 tjetër u plagos, në rrethana ende të paqarta.

Një grup i posaçëm hetimor u ngrit menjëherë dhe po punon për sqarimin e rrethanave dhe identifikimin e ndalimin e personave të implikuar në ngjarje.

Për shkak të hetimeve nuk mund të bëhen të ditura detaje të tjera./oranews

Back to top button