ATK inkasoi mbi 68 milionë euro më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit 2022
Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) shënoi rritje të të hyrave tatimore për mbi 68 milionë më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj deklaroi se në periudhën janar-qershor të këtij viti, të hyrat e grumbulluara nga tatimet janë mbi 423 milionë euro, apo 19 për qind më shumë se vitin 2022.
“ATK ka shënuar rritje të konsiderueshme në inkasimin e të hyrave tatimore…Ne vazhduam gjatë vitit 2022 të shënojmë rritje mbi 21 për qind si dhe po vazhdojmë edhe gjatë viti 2023 me rritje mbi 19 për qind. Rra, gjashtë muajt e parë të këtij viti ATK ka arritur të inkasojë mbi 423 milionë euro, apo rritje për 68 milionë euro ose 19 për qind. Ky sukses është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta dhe bashkëpunimit me tatimpagues dhe akterët relevantë në fushën e ekonomisë dhe të financave”, tha Murtezaj.
Derisa prezantoi rezultatet e gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Murtezaj theksoi se kanë inkasuar edhe mbi 91 milionë euro borxhe.
“Përveç indikatorit të të hyrës tatimore është edhe indikatori tjetër jashtëzakonisht i rëndësishëm që tregon performancën e institucionit tatimor, është pjesa e inkasimit të borxheve. Ne e dimë që në vazhdimësi ATK-ja ka qenë e sfiduar nga gjendja në inkasimin e borxheve, mirëpo viteve të fundit, duke ju referuar edhe reformës së madhe të zhvilluar në vitin 2020, jemi duke shënuar progres edhe në këtë indikator. Është shënuar progres duke shënuar rënie të stokut të birxheve në raport me rritjen e të hyrës tatimore”, vijoi Murtezaj.
Mes tjerash, ai theksoi se sfidë për këtë institucion ende mbetet mosdeklarimi i të hyrave nga një pjesë e qytetarëve.
“Ende vazhdohet të jetë një lloj sfide për institucionin e ATK-së por të njëjtën kohë edhe për qytetarët e vendit të cilët fatkeqësisht është një kategori e konsiderueshme që vazhdojnë të mos raportojnë dhe mos të paguajnë tatimet në fitimet e tyre kapitale.”, shtoi ai.