ATK me njoftim për tatimpaguesit që kanë gjoba

Administrata Tatimore e Kosovës njoftoi të gjithë tatimpaguesit se ka aprovuar Rregulloren e brendshme të ATK nr. 01/2022 mbi Përcaktimin e procedurave për funksionimin e Njësive organizative për Gjoba dhe Ndëshkime (ZGjoNA), e cila fillon të zbatohet nga data 01.02.2022.
Ndër të tjerash, me këtë Rregullore, sipas ATK-së, janë përcaktuar edhe procedurat pas vendimmarrjes nga ZGjoNA.
Bazuar në këtë Rregullore, tatimpaguesit ndaj të cilëve ZGjoNA shqipton gjoba fikse për shkelje të legjislacionit tatimor, kanë mundësinë që të përfitojnë zbritje nga pagesa e tërësishme e shumës së gjobës. Në rast se tatimpaguesi paguan gjobën e shqiptuar brenda afatit prej pesëmbëdhjetë 15 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të Vendimit nga ZGjoNA, tatimpaguesi lirohet nga pagesa e pesëdhjetë përqind (50%) të shumës së gjobës së shqiptuar dhe në këtë rast procedura e ankimimit suprimohet dhe rasti konsiderohet i mbyllur.
Tutje ATK njoftoi se tatimpaguesi i cili nuk paguan gjobën prej 50 përqind brenda 15 ditësh, obligohet të paguaj gjobën prej 100 përqind të shumës së përcaktuar me Vendim nga ZGjoNA.
“Të drejtën për të përfituar nga pagesa e gjobës vetëm prej pesëdhjetë përqind (50%) e kanë të gjithë tatimpaguesit, duke filluar nga data 01.02.2022”, thuhet në njoftimin e ATK-së./21Media

Back to top button