Autobusi me pasagjerë bie në lumë, 3 të vdekur në Shën Petersburg

Tre persona kanë vdekur,  në një aksident rrugor të një autobusi të transportit qytetas i cili u rrëzu në lumin Moyka, në Shën Petersburg të Rusisë.

Ngjarja është regjistruar mesditën e së premtes. Në total në autobus ndodheshin 15 persona. Sipas autoriteteve lokale, tre persona janë gjetur të vdekur, ndërsa gjendja e katër pasagjerëve të tjerë, nga gjithsej gjashtë të shtruar në spital, është jashtëzakonisht kritike.

Në videot që janë bërë virale në rrjetet sociale shihet autobusi që humb kontrollin në një udhëkryq, dhe përplaset me një makinë përpara se të bierë nga ura dhe të “zhytet” në lumë.

Për arsye të paspecifikuara ende drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin e mjetit. Ministria e Brendshme ruse bën me dije se ai është nxjerrë i gjallë nga ujërat e lumit Moyka dhe është arrestuar, ndërsa pritet të merret në pyetje.

Në vendin ku autobusi është “zhytur”, një operacion i madh shpëtimi është realizuar ku 69 persona dhe 18 makineri kanë punuar për të shpëtuar pasagjerët e autobusit dhe për t’i nxjerrë nga uji.

Back to top button